Edoardo Reja zyrtarisht trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë

Edoardo “Edy” Reja që nga sot ka marrë zyrtarisht drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, duke zëvendësuar ish-trajnerin Christian Panucci, raporton Anadolu Agency (AA).

Kontrata me kohëzgjatje deri në nëntor të këtij viti, u nënshkrua në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), mes presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe trajnerit Reja.

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, gjatë konferencës për mediat tha se trajneri Reja do të ofrojë atë që Kombëtarja e Shqipërisë ka nevojë.

“Do të uroja që bashkë me trajnerin, stafin e tij, futbollistët dhe gjithë mbështetësit e Kombëtares Shqiptare të bëjmë një performancë akoma më të mirë dhe të kemi rezultate më pozitive. Të jemi kandidatë për të qenë pjesëmarrës në EURO 2020”, tha Duka.

Kreu i FSHF-së theksoi se mendojnë që kanë bërë zgjedhje të mirë, duke e konsideruar Rejan një trajner me shumë eksperiencë dhe shumë ekspertizë.

“Besoj që do të japë atë që ka nevojë ekipi. Ne kemi elementë cilësor në ekipin kombëtar, kemi shumë futbollistë që luajnë me ekipe të mira dhe që mund të bëjnë shumë më mirë, por kanë nevojë për një ekspertizë, për një ribashkim, frymë grupi dhe motivim dhe besoj se Reja me eksperiencën që ka i ka të gjitha mundësitë për t’ua dhënë motivimin”, tha Duka.

Trajneri Reja u shpreh se kontrata e tij për drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë në Futboll është deri në nëntor të këtij viti dhe më pas do të shikohet edhe nga kushtet që kanë palët.

“Unë firmos zakonisht kontrata njëvjeçare, sepse janë rezultatin që vendosin. Kisha mundësi të punoja në Itali, por kisha dëshirë të drejtoja një kombëtare dhe ja ku erdhi rasti të drejtoj Shqipërinë”, tha Reja gjatë konferencës për mediat.

“E rëndësishme është të ndërtojmë një grup që të identifikojë kombin. Kemi një objektiv të qartë, të shkojmë në Evropian dhe të bëjmë figurë të mirë. Ka shumë ndeshje, për mua, për skuadrën dhe për të gjithë. Nuk dua të ndryshoj shumë filozofinë e kësaj skuadre. Mendoj se Shqipëria ka potencial për të luajtur dhe besoj se kjo skuadër mund të punojë mirë, megjithëse kërkoj maksimumin nga të gjithë lojtarët. Çdo lojtar duhet të bëj maksimumin për të qenë i përpiktë”, tha trajneri Reja.

Reja, 73-vjeçar, i cili ka drejtuar disa ekipe italiane, zëvendëson Christian Panuccin, me të cilën në mars të këtij viti FSHF vendosi të ndërpresë bashkëpunimin pas humbjes së Kombëtares së Shqipërisë në përballjen me Turqinë në Shkodër, në kuadër të fazës eliminatore të “EURO 2020″.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button