Kosova e ka quajtur krim të dyfishtë e ofendim dënimin me 15 vjet burgim për Rajko Kozlin

Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhaj, dënimi i Rajko Kozlinit me vetëm 15 burgim, është ofendim dhe krim i dyfishtë.

Në një prononcim në profilin e tij në Facebook, Hoxhaj ka thënë se mospranimi i përgjegjësisë për krimet e luftës të kryera në Kosovë nga forcat serbe, kundër popullatës civile po vazhdon edhe pas dy dekadash nga konflikti.

“Krimineli që vrau 31 civilë në Tërrnje të Therandës, përfshirë gra, pleq e fëmijë, dënohet me vetëm 15 vjet burgim, në Serbi. Kjo nuk është vetëm një padrejtësi e radhës, por edhe një ofendim dhe krim i dyfishtë ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Gjatë ditës, edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd (FDH) përmes një komunikate për opinionin e ka quajtur të gabuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit në lidhje me krimin e kryer në Tërnje, e cila pas vlerësimit të fakteve e ka liruar nga përgjegjësia Pavle Gavrilloviqin, ndërsa dënimi i shqiptuar për Rajko Kozlinën thotë se është tepër i ulët në krahasim me peshën dhe pasojat e krimit që ka kryer, raporton FoNet, transmeton Koha.net.

Në komunikatë FDH rikujton se Gjykata e Lartë të martën ka marrë vendim që ta lirojë Gavrilloviqin, ndërsa Kozlinën e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 15 vjet burgim për krimin e kryer në Tërnje më 25 mars të vitit 1999.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë më 2013 ka ngritur aktakuzë kundër dy ish-pjesëtarëve të Batalionit 549 të Brigadës së Motorizuar së Ushtrisë Jugosllave – Pavle Gavrilloviqit dhe Rajko Kozlinës, për krimin e kryer në Tërnje (afër Suharekës) më 25 mars të vitit 1999, ku u vranë së paku 31 civilë shqiptarë, ndër të cilët një shtatzënë dhe shtatë fëmijë.

Gavrilloviqi akuzohej se, se në cilësinë e komandantit u kishte dhënë urdhër eprorëve të batalionit që e komandonte, ndër të cilët ka qenë edhe Rajko Kozlina, që të sulmojnë fshatin Tërnje, duke u thënë “nuk guxon të mbetet ndonjë i gjallë”, ndërsa Kozlina, bashkë me pjesëtarët e grupit sulmues që i kishte nën komandë, këtë urdhër e kishte realizuar, thekson FDH.

Kjo OJQ thekson se Gjykata me rastin e marrjes së vendimit në lidhje me këtë rast nuk u ka besuar pohimeve të disa pjesëtarëve të Brigadës 549 se Gavrilloviqi kishte dhënë urdhër që në atë 25 mars të vitit 1999 në fshatin Tërnje “nuk guxon të mbetet ndonjë i gjallë”, ndërsa sipas vlerësimit të Gjykatës, duke pasur parasysh se atë ditë nuk ishin vrarë të gjithë banorët e Tërnjes, porse diku dy ditë pas kësaj ngjarjeje kishin shkuar në fshatin fqinj, nuk mund të konsiderohet se urdhri i Gavrilloviqit ishte zbatuar.

Gjykata ka konstatuar se Kozlina është përgjegjës për vrasjen e 15 personave dhe për shkaktimin e plagëve trupore dy civilëve shqiptarë në fshatin Tërnje, transmeton Koha.net komunikatën e FDH-së.

Me rastin e shpalljes së dënimit Gjykata si lehtësi ka marrë rrethanat familjare të Kozlinës (se është i martuar dhe baba i një të mituri), se nuk është i dënuar më parë, se ndaj tij nuk zhvillohet ndonjë procedurë tjetër penale, se në kohën e kryerjes së kësaj vepre ka pasur 23 vjet, se është i punësuar, si dhe kalimin e kohës – nga koha e kryerjes së krimit kanë kaluar 20 vjet, thekson komunikata.

Nga ana tjetër, si rrethanë rënduese Gjykata ka vlerësuar se në këtë krim është vrarë një numër i madh civilësh, ndër ta ka pasur edhe fëmijë. Gjykata ndërkaq u ka dhënë përparësi rrethanave lehtësuese kundruall fakteve se Kozlina ka vrarë në mënyrë të skajshme bizare gra e fëmijë, thekson Fondi për të Drejtën Humanitare.

tepër i butë për një krim kaq të rëndë është edhe një fakt në favor të pohimit se institucionet në Serbi, që janë kompetente për procedimin e krimeve të luftës, nuk kanë bashkëndjenjë elementare me familjet e viktimave të krimeve të luftës, të cilat dy dekada pas konfliktit edhe më tutje nuk mund të marrin epilogun e drejtësisë, përfundon FDH, transmeton Koha.net.

LEXO:Beograd: Rajko Kozlin është dënuar me 15 vjet burgim për vrasjen e civilëve në Suharekë

LEXO: Mohimi i krimeve gjatë luftës shihet si fyerje ndaj viktimave

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button