SHGM: Milikije Halimi dënoi sulmin mbi gazetarët e TV21 dhe kërkoi të sanksionohen personat përgjegjës

20:40 – Pas reagimit të sotshëm të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe kërkesës deri te të gjitha institucionet që të pastrohet incidenti sa më shpejtë, sot, pasdite, u paraqit edhe kryetarja e Komunës së Haraçinës Milikije Halimi. Ajo i bashkohet dënimit të kësaj ngjarjeje dhe kërkoi të zbardhet rasti.

“E dënoj fuqishëm ngjarjen e pahijshme brenda zyrave te komunës. Si e para e Komunës, do te angazhohem personalisht raste te tilla mos te ndodhin asnjëherë. Fjala e lire, informimi publik dhe puna e mediumeve janë te shenjta dhe fuqishmish qëndroj pas këtyre vlerave, te cilat janë te garantuara edhe me Kushtetute. Pres dhe u kërkoj institucioneve përgjegjëse sa me shpejte ta zbardhin ketë ngjarje dhe personat përgjegjës te marrin sanksionimin e merituar”, shkruan në përgjigjen që Halimi ia dërgoi SHGM-së.

SHGM sot dënoi këtë sjellje dhunuese dhe primitive me të cilën u përballuan kolegët nga TV21, dhe tha se ngjarje të tilla janë të papranueshme dhe paraqesin sulm ndaj lirisë së informimit dhe është ndërhyrje klasike në kryerjen e punës së gazetarëve.

SHGM përshëndet reagimin e shpejt të kryetares Milikije Halimi dhe njëkohësisht kërkon hetim të shpejt dhe efikas nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme.

16:50 – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut dënoi ashpër sulmin mbi gazetarin dhe kameramanin e TV21 nga ana e familjarëve të kryetares së Komunës së Haraçinës, Milikije Halimi nga LSDM, njofton Portalb.mk. 

“Dje, pasi që ekipi i TV21 ka incizuar kronikë në lidhje me ankesat e banorëve për infrastrukturën e keqe të kësaj komune, familjarë të kryetares Halimi kanë bërë kërcënime verbale ndaj ekipit televiziv se do t’ua thyejnë kamerën dhe kanë kërkuar të fshihen incizimet. Gazetarët kanë vendosur mos të fshijnë materialet e incizuara dhe më pas janë detyruar të hyjnë në zyrën e komunës dhe përsëri janë përballur me kërcënime të njëjta. Ato për së dyti kanë refuzuar të fshijnë materialet, dhe incidenti ka vazhduar në redaksinë e TV21 ku të njëjtat persona i janë kërcënuar kryeredaktorit se nuk guxon të publikojë asgjë nga materialet e regjistruara. Njëkohësisht, në televizionin ka ardhur policia, dhe personat që janë kërcënuar menjëherë janë larguar, ndërsa gazetari dhe kameramani kanë raportuar rastin në polici”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Më tej nga atje thonë se “sjellja e tillë e dhunshme dhe primitive, posaçërisht kur vjen nga ana e personave të afërt të figurave politike, është e papranueshme dhe paraqet sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së informimit”.

Ata kërkojnë hetim hetim urgjent dhe efikas nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe njoftuan se do ta paraqesë këtë incident edhe në Platformën Rajonale të Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Mediave dhe Sigurinë e Gazetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button