“Der Standard”: Merkeli e Makroni “varrosin” idenë e shkëmbimit të territoreve, propozojnë “status special për veriun”

Gazeta vjeneze “Der Standard” ka raportuar sot se në samitin ballkanik të ftuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Makron, më 29 prill do të diskutohet për çështjen e kufijve në Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht për kufirin mes Kosovës e Serbisë.

Sipas kësaj gazete, ideja është që të mbyllet ky kapitull dhe të mos hapet kjo temë më.

“Sipas diplomatëve, synimi i takimit në Berlin është të ‘varroset ideja e planit për shkëmbim territoresh’”, shkruan kjo gazetë.

Ideja ishte të “shkëmbeheshin” zona nga veriu i Kosovës me pjesën jugore të Serbisë në bazë të vijave etnike. Ky koncept u përkrah nga shefja e BE-së për politikë të jashtme Federica Mogherini, nga komisionari i BE-së, Johannes Hahn, këshilltari amerikan i sigurisë, John Bolton, nga Austria e Hungaria, ndërsa kundërshtohet thellësisht nga politika në Ballkanin Perëndimor. Edhe Merkeli e kundërshton atë.

“Tani Kancelaria në Berlin dëshiron të propozojë një status special për Veriun e Kosovës – që reflekton mbi idenë e Asociacionit të komunave serbe, e cila ishte nënshkruar nga të dyja palët në Marrëveshjen e Brukselit më 2013, por ende nuk është zbatuar”, thotë kjo gazetë, transmeton Koha.net.

Madje, edhe një mbështetës i madh i shkëmbimit të territoreve, siç është këshilltari politik Ivan Krastev, tani thotë: “Përshtypja ime është se negociatat e kanë humbur momentumin e tyre. në këtë sens, nuk do të ketë shkëmbime territoresh”.

Në Berlin, sipas “Der Standard”, thuhet se është më me rëndësi të arrihet “një marrëveshje e mirë” mes Kosovës dhe Serbisë sesa një marrëveshje e shpejtë.

Edhe Franca është e mendimit se në Ballkan është më mirë fillimisht të zbatohet më shumë sundimi i ligjit. Synimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë është normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në kontekst të afrimit me BE-në.

Takimi në Berlin, sipas gazetës vjeneze, ka të bëjë edhe me dërgimin e një sinjali të qartë tek Mogherini që të ndalojë me mbështetjen e idesë së ndryshimit të kufijve.

Deputeti gjerman i të Gjelbërve, Manuel Sarazzin, thotë: “Kufijtë në Ballkanin Perëndimor janë të pacenueshëm, dhe ishte vendimi i kohëve të fundit kundër kriminelit të luftës, Radovan Karaxhiq, që na kujtoi me dhembje se çfarë ndodhë kur politikanët ndjekin idenë e territoreve ‘etnikisht të pastra’, është njëfarë talljeje me të gjitha viktimat e luftës dhe është e rrezikshme për paqen në Evropë”.

Diplomati austriak, Albert Rohan, që është bashkautor i Planit të Ahtisaarit, tha: “Kemi menduar se njerëzit në Ballkan në shekullin e 21-të do të mund të tejkalojnë të menduarit mesjetar fisnor dhe janë në gjendje të jetojnë në shoqëri multi-etnike”.

“Shqyrtimi i shkëmbimit të territoreve ndoshta ka të bëjë më shumë me faktin se tani në SHBA është një administratë e re. Nëse Plani i Ahtisaarit do të shkatërrohej nga një shkëmbim territorial, të gjitha të drejtat e pakicave dhe e tërë korniza do të viheshin në pikëpyetje”, theksoi Rohan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button