I rebeluari kundër manifestimeve tiranike

Danilo Kishi besonte se dy të këqijat më të mëdha të shekullit XX ishin nazizmi dhe komunizmi. Dy ideologjitë i kishin shkaktuar edhe trauma personale. Për shkak të histerisë naziste, babai i tij nuk u kthye nga kampi nazist. Për shkak të histerisë tjetër ideologjike, shkrimtari u përball me fushatën e egër kundër tij, që dirigjohej nga nacional – socializmi serb.

Kishi, pasi kishte shkruar për terrorin nazist, e ndjeu si obligim moral ta shkruante një vepër letrare kundër manifestimeve staliniste. Ideja i kishte lindur derisa ligjëronte në Strasburg dhe në Bordo. Ai kishte vërejtur se studentët dhe intelektualët në Perëndim nuk u besonin rrëfimeve për krimet komuniste dhe për gulagun. Me këtë ndjenjë e krijoi veprën letrare “Një varr për Boris Davidoviqin” (1976), të cilën e përktheu në gjuhën shqipe shkrimtari Jusuf Gërvalla.

Mirko Kovaçi, në librin “Romani politik evropian”, thotë se në qendër të veprës “Një varr për Boris Davidoviqin” është gjendja e viktimës së një regjimi të dhunshëm, i cili udhëhiqet nga etika revolucionare. Ky regjim synon shkatërrimin e personalitetit të njeriut, i cili është i privuar nga zgjedhja personale. Njeriu është numër anonim në kalkulimet dhe konceptet e ideologjisë totalitare. Njeriu përjeton humbje të dyfishtë: në planin historik dhe njerëzor.

“Njeriu në romanin e Kishit nuk e arrin shkallën e revoltës. Ai është i shënjuar si viktimë. Nëse i akuzuari refuzon ta “pranojë” fajin, atëherë flijohet një njeri i pafajshëm dhe i panjohur, shkruan Kovaçi.  Regjimi totalitar, duke u udhëhequr nga obsesionet hakmarrëse, e synon kapitullimin përfundimtar të njeriut. Dhuna, detyrimi dhe nënçmimi duhet ta shpejtojnë këtë kapitullim. Heroi i Kishit vdes si viktimë. I akuzuar dhe i dënuar pa bërë asnjë faj dhe pa asnjë provë.

Danilo Kishi, duke shkruar për një regjim totalitar, nuk pretendonte ta thoshte të vërtetën absolute. Ai dëshironte që lexuesi t’i besonte rrëfimit të tij dhe, kështu, të vetëdijesohej për të keqen e madhe. Shkrimtari, sipas Kishit, tenton që ta bind lexuesin se rrëfimi i tij është i vërtetë edhe pse “në letërsi nuk ka të vërtetë” .

“Një varr për Boris Davidoviçin”, sipas Magrisit, është akuzë kundër stalinizmit, është imazh madhor jo vetëm i kasaphanës së tmerrshme të shekullit, por edhe i historisë së gënjeshtërt, si plagjiaturë e jetës.

Kishi nuk pretendoi që të jepte mesazhe ideologjike nëpërmjet veprës letrare. Ai vetëm i kundërvihet artistikisht botës dhe mendimit totalitar.

Menjëherë pas botimit të veprës “Një varr për Boris Davidoviçin” filluan sulmet kundër tij. Shkaqet ishin politike. Mark Thompson-i, autori i librit “Certifikata e lindjes, Historia e Danilo Kish-it”, thotë se shkrimtari e kishte zbuluar nacionalizmin serb që në zanafillë.

“Këtë nuk ja falën serbët. Prandaj organizuan fushatë kundër tij, në Beograd. Ishte goditja më e madhe që i bëhej një shkrimtari në Jugosllavinë e Titos. I kërkoi ndihmë Mirosllav Kërlezhës, por ai ja ktheu me gjakftohtësi: Kujdesu vetë!”, shkruan Thompson.

Kritikuesit më të rreptë të librit ishin përfaqësuesit e botës dhe mendimit totalitar dhe nacionalist. Kishi e përkufizonte nacionalizmin si ideologji e kiçit dhe banalitetit.

Fushata kundër veprës ishte nxitur nga gazetari Dragolub Goluboviq. Filloi në revistën “Oko” të Zagrebit dhe vazhdoi në “Knjizhevna novina” të Beogradit. Më i zëshmi kundër Kishit ishte profesori i letërsisë Dragan Jeremiq. Mbrojtësi më i madh i Kishit ishte intelektuali i njohur kroat, Predrag Matvejeviqi. Kritikuesit thanë se vepra “Një Varr për Boris Davidoviqin” ishte plagjiat; se Kishi kishte përdorur në vepër dokumente autentike, por pa përmendur burimet. Kishi iu kundërpërgjigj me librin “Leksioni i Anatomisë” (1978). Sipas tij, kritikët e librit vepronin prej pozitave antiletrare dhe nacionaliste, madje edhe antisemite.  Studiuesit kanë thënë se me këtë libër Kishi shfaqet superior kundrejt sulmuesve të tij.

Dragan M. Jeremiq iu kundërpërgjigj me librin “Narcisi pa fytyrë” (1981). Jeremiqi ishte kritik letrar, profesor universitar dhe autor i disa librave studimor dhe eseistik. Ai kërkonte origjinalitet të skajshëm në një vepër letrare. Kishi, sikurse Borges-i, nuk magjepsej pas mitit të origjinaliteti, ndonëse ishte origjinal gjatë krijimit të botës së tij simbolike. Mark Tomsoni thotë se në polemikën e tij, Dragan Jeremiqi udhëhiqej nga nacionalizmi dhe antisemitizmi. Fushatës kundër Kishit iu bashkëngjit edhe i pashmangshmi, shkrimtari nacionalist serb, Miodrag Bulatoviq, megafoni i politikës nacionaliste serbe dhe, më vonë, përkrahësi i verbër i Millosheviqit. “I çmenduri Bule”, siç e quanin shkrimtarët e kohës, ishte bërë pjesë e fushatës nga dashakeqësia. Ai gjatë bisedave me shkrimtarë e pranonte se akuzat ndaj Kishit ishin të sajuara. Kishi këta i quajti “qen policorë”, të cilët, duke e akuzuar si plagjiator, dëshironin t’ia merrnin të drejtën e të qenit shkrimtar. “Nëse nuk do të isha shkrimtar, unë nuk do të isha asgjë”.

Danilo Kishi, që besonte se letërsia ishte digë kundër barbarisë, iu kundërvu kritikës dogmatike. Në shkrimin “Për pluralizëm“, të botuar në vitin 1974, ai shkruan: “Pjesa më e madhe e kritikës sonë ende është tradicionale, pozitiviste, sociologjike, një kritikë e tipit të Skerliqit  (kritik dogmatik – shënim yni). Kritiku ende është njeriu që dëshiron të dominojë me idetë dhe shijen e tij. Në mënyrë tiranike, pra totalitare. Më së shpeshti në bazë të postulateve të Skerliqit, pra atyre “realiste”… Sipas kësaj kritike, letërsia duhet të jetë imazh i jetës popullore, literaturë e kritikës shoqërore, e angazhuar, në kuptimin më të gjerë, “në dobi të popullit”.

Kish iku nga kjo botë më 15 tetor në vitin 1989. Në testament kishte shkruar se nuk dëshironte fjalime gjatë varrimit. Në çastet e fundit të jetës, një mik e pyeti nëse i dhembte diçka. “Po” , tha ai. “Çka?” – e pyeti miku. “Jeta” , u përgjigj ai.

Shkrimtari nuk bëri kompromis me “elitën e çarshisë”, të cilën e shihte si pjesë e së keqes më të madhe.

Për jetën dhe veprën e Kishit janë botuar shumë libra, por Kishi nuk besonte se mund të shkruhej një jetëshkrim për shkrimtarin.

“Çdo biografi nëse nuk është e përkëdhelur, gjithsesi është e reduktuar. Një biografi ideale dhe interesante duhet të përmbajë biografinë e çdo njeriu, të çdo kohe”.

Milan Kundera thotë: “Në mesin e shkrimtarëve të brezit tim, që jetonin në Paris gjatë viteve 80-të, ai ishte mbase më i madhi. Më i madhi dhe më i padukshmi. Hyjnesha Aktualitet nuk kishte asnjë arsye t’i drejtonte reflektorët drejt tij. “Unë nuk jam disident”, shkruante. Udhëtonte lirshëm në relacionin Jugosllavi dhe Francë. Për Hyjneshën Aktualitet Danilo nuk ishte interesant”.

Ndoshta Kishi edhe ishte interesant, por Hyjnesha Aktualitet nuk e dëshironte një përballje tjetër me të. E kishte provuar humbjen. I mbetej vetëm të heshtte. Tani e tutje do të fliste përgjithmonë vepra e shkrimtarit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button