“Ushtria s’vrau asnjë”, thotë Bolsonaro pasi një makinë, ku humbi jetën një person, u qëllua 80 herë nga ushtarët

Të dielën e 7 prillit, muzikanti Evaldo dos Santos Rosa, 51 vjeç, po shkonte për një festë me rastin e pritjes së ardhjes në jetë të një fëmije, në Guadalupe, një lagje e varfër në qytetin e Rio de Zhaneiro. Në makinë me të ishin edhe vjehrri i tij, bashkëshortja, djali i tyre 7-vjeçar dhe një mik. Dielli shndrinte dhe dukej si një fundjavë e zakonshme në qytetin bregdetar më të madh të Brazilit.

Teksa udhëtonin pranë një kompleksi ushtarak, ushtarët qëlluan me breshëri plumbash drejt makinës. Evaldo mbeti i vrarë menjëherë, ndërsa vjehrri i tij së bashku me një kalimtar që ishte afër, u plagosën. Udhëtarët e tjerë arritën të shpëtonin, transmeton Global Voices

Policia, e cila inspektoi skenën e krimit, më vonë zbuloi se makina u qëllua 80 herë. Leonardo Salgado, shefi i policisë, tha se besonte se oficerët ngatërruan makinën e Evaldo me një tjetër të përdorur nga kriminelët në kërkim, njoftoi faqja informative, G1. Ai shtoi se policia nuk gjeti armë në makinën e Evaldo-s.

Luciana Nogueira, bashkëshortja e Evaldos prej 27 vjetësh, që mbijetoi sulmit me armë, i tha Estado de S. Paulo:

Fqinjët filluan të ndihmonin (bashkëshortin tim), por [ushtarët] vazhduan të qëllonin. I vura duart mbi kokë, thirra për ndihmë, u thashë se ai ishte burri im, por ata nuk bënin asgjë, vetëm qëndronin atje të çorientuar.

Ndërsa vrasja brutale e një njeriu të pafajshëm nga forcat qeveritare ka tronditur Brazilin, presidenti Jair Bolsonaro qëndroi në heshtje rreth incidentit për gjashtë ditë.

Kur më në fund foli, në një konferencë shtypi më 12 prill, ai tha: “Ushtria nuk ka vrarë askënd, ushtria është e popullit dhe ju nuk mund të akuzoni popullin për vrasje”.

Më herët, fjalët e vetme që dolën nga Pallati Planalto, selia e ekzekutivit, ishin përmes zëdhënësit të presidentit, i cili i referohej ekzekutimit të Evaldo si “një incident”, pa ofruar ngushëllime për familjen e tij.

Në mbrëmjen e 8 prillit, guvernatori i shtetit të Rio de Zhaneiros, Wilson Witzel, një aleat i Bolsonaros, deklaroi se “nuk i takonte atij të gjykonte”.

Dy ditë më vonë, Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë Publike Sergio Moro tha vetëm se vrasja ishte “fatkeqësi” gjatë një interviste për një program televiziv.


Ky është numri i përmendjeve në Twitter nga kabineti i Bolsonaro për të shtënat drejt një makine në Rio de Zhaneiro. Po, grafiku është BOSH, sepse askush nuk u shpreh, madje as të mos thonë se u erdhi keq për atë që ndodhi. Makina u qëllua 80 herë nga ushtarakët.

Hetimi i ushtrisë
Pak pasi lajmet mbi ngjarjen filluan të qarkullojnë në media, ushtria nxori një deklaratë duke thënë se forcat po reagonin ndaj “agresionit të pajustifikuar të sulmuesve”. Më vonë në mbrëmjen e 7 prillit, lëshoi një shënim deklaratë, këtë herë duke thënë se do të hetonte.

Megjithëse policia civile ka inspektuar skenën e krimit, nuk do ta hetojë rastin. Këtë gjë do ta bëjë ushtria dhe një gjykatë ushtarake do të vendosë përfundimisht për të përfshirët në incident. Kjo falë një ligji të vitit 2017 që thotë se vetë forcat e armatosura janë përgjegjëse për hetimin e vrasjeve të kryera nga personeli i tyre gjatë kohës që janë në detyrë.

Human Rights Watch, që ka kritikuar ligjin në kohën e miratimit të tij nga Presidenti Mishel Temer, nxorri një deklaratë më 9 prill duke bërë thirrje për një hetim të paanshëm të vrasjes së Evaldos dhe për shfuqizimin e ligjit.

Më 8 prill, ushtria arrestoi 10 nga 12 oficerët që ishin në vendin e ngjarjes dhe i akuzoi ata për vrasje dhe vrasje në tentativë, sipas gazetës lokale Extra. Një gjykatës liroi një nga 10 oficerët më 10 prill.

Nuk është hera e parë
Policia e Brazilit është e njohur për praktikën “qëllo përpara, pyet më pas”, një thënie që vërtetohet herë pas here.

Raporti i Amnesty International i publikuar këtë vit thotë se policia braziliane është më vdekjeprurësja në botë. Vetëm në 2018, 15,6 për qind e të gjitha vrasjeve në vend u kryen nga agjentët e zbatimit të ligjit. Vetëm në Rio de Janeiro dhe vetëm në janar 2019, policia ka vrarë 160 njerëz.

Një projekt-ligj i quajtur “paketa antikrim”, të cilën qeveria e Bolsonarit po e propozon në Kongres, mund të rrisë potencialisht shifrat e frikshme. Projektligji synon të ndryshojë disa direktiva që do të heqin ose ulin ndjeshëm dënimet e policëve dhe oficerëve ushtarakë, kur ata vrasin dikë kur janë në krye të detyrës.

Rrethanat e vrasjes së Evaldo-s, një 51 vjeçar me ngjyrë, nuk bëjnë përjashtim, por janë një gjë e rëndomtë në Brazil, thonë Samira Bueno dhe Renato Sérgio de Lima, drejtorët e Forumit Brazilian të Sigurisë Publike, në një artikull për Folha de São Paulo:

Përkthim Citimi në origjinal
Evaldos iu ndërpre jeta nga ata që ishin betuar për ta mbrojtur atë. Djali i tij kurrë nuk do të kalojë traumën e të parit të babait të tij duke u qëlluar nga agjentët shtetërorë. Por le të jemi të qartë se faji nuk qëndron vetëm te ata që kanë shkrepur armët. Ose ne fillojmë ta bëjmë të gjithë zinxhirin komandues përgjegjës për veprimet e tyre, ose do të vazhdojmë të numërojmë të vdekurit ndërsa diskreditojmë institucionet tona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button