Nuk është lojë tallavaja

Marr e i shpaloj vitet – dhjetë, njëzet, nga çasti i mëvetësimit të Maqedonisë e këndej, përpiqem të shoh se çfarë bëmë, çfarë arritëm, çfarë ndryshimesh kanë ndodhur. Hiq Univerzitetin e Tetovës (të cilin shumë veta, pa të drejtë, nuk e kursejnë nga kritikat e rënda e që padyshim është një e arritur me peshë) dhe Institutin e trashëgimisë kulturore, çdo vit më del bardh, pa ndonjë fjali me rezultate të arritura për lavdëratë, thuajse bosh. Dështimet janë më të mëdha.

Dikur, para mëvetësimit, ishim keq, por e dinim adresën e fajtorit. Tash punët janë ndryshe. Adresa e fajeve është te ne vetë, më shkurt te ata që e kanë marrë besimin e popullit që t’i shtyjnë punët përpara. Prandaj në popull gjen mjaft njerëz që janë ngarkuar me energji negative, sepse nuk shohin kund një derë të vogël perspektive. Ata pak veta që kanë një vend pune nuk janë të kënaqur me rrogat, të papunët kalojnë heshtazi e ulen nëpër mejhane të lira ku bëhen plane për të ndjekur shembullin e qindra mija njerëzish që ia kanë mbathur në perëndim  të punojnë, meqë këtu premtime për punë ka, po punë jo.

Si viti i parë pas mëvetësimit, edhe në vitet pasuese – kurrgjë e jashtëzakonshme. Vetëm përsëritje, përsëritje e gjërave, e realitetit të përhimtë. Nuk ndodh diçka e veçantë përveç varfërisë,  “fëmijëve që rriten” dhe marrin udhën e kurbetit e të pakthimit, duke i lënë rrugët tona në heshtje e shtëpitë si përmendore.

Në çdo fshat, në çdo lagje, gjithandej – vetëm shtemësi. Nuk sheh njeri në fushë duke punuar ose në mal duke bërë dru. Praktikisht kemi mbetur pa fushë e pa mal, domethënë pa bazë, pa tokën e bukës. Edhe pak do të na duket krejt e zakonshme të shohim vetëm kortezhe që i përcjellin pleqtë e vetmuar në banesën e fundit, duke marrë me vete një pjesë të historisë sonë.

Ndoshta prej zemrës së plastë themi: hajt se e ban zoti mirë. Ndërkaq e yrishi i përhimtësisë i ka vënë para vetes të gjitha shpresat , të gjitha përmbajtjet idealiste dhe si rrëmujë i hedh në greminat e harresës, duke e ndërprerë rrugëtimin krenar historik të brezave të vjetër dhe duke e ndalur orën e zhvillimit tonë kulturor e ekonomik.

Skena e përhimtësisë është e këtillë gjatë gjithë kohës. Vetëm kjo përsëritet.

Pas gjithë kësaj përhimtësie e hedhim një shikim më të kujdesshëm në këtë botë tonën të zymtë, në këtë lëndinë të bjerrë, të vendosur në një ëndërr të keqe, në vijën e hollë ku pret dilema: me kjenë a mos me kjenë.  E shohim se ka pak njerëz që jetojnë jashtë realitetit të zymtë e që janë plot optimizëm.

Ka të tillë. Por janë pak. Janë zakonisht të ulur këmbëkryq me majat e pushtetit. Dhe, nga maja nuk e vërejnë ata se çfarë ndodh atje poshtë, nuk e shohin se kjo vatër prej dite në ditë shkon duke mbetur pa prush, duke u fikur. Se kjo çerdhe që dikur vlonte nga zëret e fëmijëve, sot nuk ka gjallëri. Nuk e shohin ata mungesën e shtegut, siç e sheh shumica. Nuk e shohin ngase çerdhja e tyre është në fortifikatën e pushtetit, e mbrojtur dhe e siguruar.

Po edhe kjo është përsëritje.  Të gjitha këto janë përsëritje të problemeve që i dimë.

Realitetin tonë e ka pushtuar tallavaja.

Tallava e ka rrëmbyer politikën. Tallava – kulturën. Marrëdhëniet shoqërore (dasma e ndenja). Tallava na është bërë edhe arsimi. Përfundimisht tallavaja e mban peng edhe fenë.

Është koha që t’I bllokohen të gjitha punktet tallavasë.

Se jemi popull evropian.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button