I riu shqiptar nga Ballkani dhe lufta e tij për identitet

Në kohën kur shqiptarët e trojeve ballkanike udhëhiqen thuajse në çdo institucion shtetëror nga keqbërës, tani më në verbëri të plotë ndaj të vërtetës, e cila erdhi si pasojë e vjedhjes së madhe që ia bënë dhe vazhdojnë t’ia bëjnë pronës publike, shoqërive të reja shqiptare nga Ballkani u shtohen dhimbjet e sëmundjes për formimin e një identiteti të përbashkët dhe të qëndrueshëm kombëtar.

Pasojat që sjell ky ngërç ideologjik marrin përmasa të pakontrollueshme atëherë kur përgjegjësitë institucionale për përpilimin e planeve dhe ideve arsimore, ekonomike dhe ushtarake, zhvillimi i të cilave është i lidhur ngushtë me krijimin e shqiptarit të ri, gjenden në duart e grupacioneve, të cilat pos që janë të njësuara me krimin, përbëhen edhe nga njerëz të padijshëm me plotë kuptimin e fjalës.

Ngecja e shoqërisë në këto sfera nga njëra anë, si rrjedhojë mos krijimi i një shembulli identitar i pakontestueshëm patriotik, nga ana tjetër, bën që shtypja më e madhe të bie mbi të riun shqiptar, të cilit që në fillim të orvatjes për ndërtimin e figurës së tij i paraqiten sfidat e para të turbullta. Ai në këtë kohë në vend se të merret me zhvillimin e prirjeve të veta si të rinjtë e vendeve me identitet të qëndrueshëm, gjendet në një kaos pyetjesh që e nxjerrin nga origjinaliteti, gjegjësisht se cili është shembulli për t’u ndjekur: shqiptari me kulturë lindore apo ai me kulturë perëndimore? A mund të jesh mysliman dhe shqiptar i mirë? A mund të jesh shqiptar i mirë dhe jomysliman? Apo me pyetje të llojit se cili është më i mirë: shqiptari i korruptuar apo joshqiptari i drejtë?

Ky lloj i pyetjeve krijuan mjegullën e dendur para syve të shumë të rinjve nga të gjitha trojet shqiptare. Sot atij i humbi modeli i shqiptarit me kulturë shqiptare ose, thënë më saktë, nuk iu ofrua kurrë qartë ai model; atij i humbi edhe vlerësimi i drejtë i qenies njerëzore për qeniet e tjera me dallime jothelbësore të ndryshme kulturore në krahasim me vlerën e njeriut si frymor i ndjeshëm me vetëdije.

Të riut tonë sot iu zvoglua edhe rezistenca pasi që shtypja ndaj tij u bë shumë e madhe. Në këtë kontekst me doemos që përgjegjësitë për këtë katrahurë mendimesh e pastaj edhe mënyrë jetese, qoftë individuale, ashtu edhe brenda organizmave institucionale të të riut shqiptar nga Ballkani, jo vetëm që bien mbi kriminelët klasikë të lartpërmendur, por bien edhe mbi prindërit tanë të cilët duke na dashur shumë s’ditën t’i vlerësojnë gjërat sipas rëndësisë së tyre reale; mbi mësimdhënësit në kuptimin e përgjithshëm të fjalës; dhe sidomos mbi ata që krijuan ndër vite opinionin e përgjithshëm publik.

Sipas ligjit të natyrës çdo gjë e ndodhur është e shkuar dhe  mbetet në të kaluarën, në fakt ashtu dhe duhet të mbetet, por tani më e rëndësishme është e tashmja në mënyrë që të ndërtohet e ardhmja, përgjegjës të së cilës jemi edhe ne adoleshentët e djeshëm. E ardhmja nuk duhet të jetë si kjo e tashme ku çdo ditë posa piqen menjëherë shuhen ide, plane, vizione e ëndrra rinore. Por duhet të jetë me bazë të fortë, e cila si pikënisje ka kundërshtimin e të pavërtetës me të vërtetë, pa frikë, kundërshtimin e krimit dhe kriminelit me ligj të drejtë, kundërshtimin e injorancës me dituri, si dhe kundërshtimin e epsheve njerëzore me moral të lartë.

Shkruan: Enis Murtezani, student

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button