Si mund të keqpërdoren anketat dhe rezultatet e tyre?


Burimi: KriThink

Shumë kohë përpara se të fillojë fushata zgjedhore, për çfarëdo lloj zgjedhjesh (përfshirë edhe ato presidencialet, meqë jemi në një proces të tillë) partitë politike, kandidatët ose rivalët në zgjedhje masin rejtingun e tyre. Nëpërmjet anketave të zbatuara nga Agjenci të caktuara me të cilat bashkëpunojnë, ata mësojnë se si qëndron opinioni publik, disponueshmëria e publikut për t’i mbështetur, si qëndrojnë oponentët dhe ku duhet të fokusohen për të lëvizur rezultatet në drejtim pozitiv në favorin e tyre.

Ky është aspekti pozitiv i shfrytëzimit të anketave; matja reale e opinionit. Fundja, këtë bëjnë Agjencitë e marketingut edhe për produkte dhe shërbime të tjera. Platformat politike janë njëjtë produkt ose shërbim.

Por, si mund të keqpërdoren anketat dhe rezultatet e tyre?

Për të vlerësuar vërtetësinë e rezultateve të anketës mbi pyetjet të cilat trajton ajo, duhet pasur parasysh disa aspekte të realizimit të saj.

  • E para, cila është Agjencia që ka realizuar anketën? Është shumë i rëndësishëm kredibiliteti i Agjencisë, historiku i saj, sa anketa të besueshme ka realizuar më herët dhe sa prej tyre kanë qenë më afër ose të ngjashme me rezultatet reale në zgjedhje? Sa profesionale janë anketat e mëhershme të saj në kuptimin e metodologjisë së shfrytëzuar?
  • Pyetjet rreth Agjencisë zbulojnë se sa mund t’i besojmë anketës edhe duke pasur parasysh kampionimin (mostrën; sa veta janë anketuar, mosha, vendbanimi, arsimimi i pjesëmarrësve) dhe marzhi ose kufinjtë e mundshëm të gabimit.
  • Se cila ka qenë metoda e realizimit të anketës po ashtu ka shumë rëndësi. Zakonisht anketat e realizuara derë më derë janë më të besueshme se sa anketat e realizuara me telefon, e të mos flasim për anketat në rrjetet sociale. Anketat e realizuara derë më derë llogariten si më reale sepse shpërndarja e përfaqësimit të atyre të anketuarve në bazë të të cilëve do të matet opinioni publik rezulton më e drejtë. Opsioni me telefon mbetet si metodë e dytë më e besueshme për shkak të përgjigjeve, shpesh, joreale që merren, sepse vetë konktakti jo i drejtpërdrejtë me të anketuarit e len të hapur mundësinë e mungesës së sinqeritetit, për shkak të mosbesimit ose frikës. Anketat në internet dhe në rrjetet sociale sjellin rezultate më pak përfaqësuese sepse përdoruesit e internetit dhe rrjeteve sociale, në përqindje më të madhe, janë grupmoshat e reja.

Duhet patjetër të theksohet se problem shtesë për anketuesit është mungesa e regjistrimit të popullsisë dhe karakteristikat demokrafike të saj.

Mediat dhe anketat

Që nga dita e zyrtarizimit të kandidaturave për zgjedhjet presidenciale aktiviteti i kandidatëve monitorohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. Që nga fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore, mediat janë nën monitorimin e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Kodi Zgjedhor përmban dispozita të qarta për atë se çfarë mediave u lejohet të transmetojnë në lidhje me matjen e mendimit publik dhe në çfarë mënyre të bëhet informimi i drejtë.

Kodi Zgjedhor, neni 77

Rezultate nga matja e mendimit publik lidhur me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor publikohen më së voni pesë ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve për rrethin e parë dhë të dytë të zgjedhjeve.

Gjatë publikimit të rezultateve nga matja e mendimit publik në lidhje me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, mediat dhe mediat elektronike (internet portalet) janë të obliguara të theksojnë të dhëna për emrin e porositësit i cili e ka kërkuar dhe e ka paguar matjen, institucionit i cili e ka realizuar matjen, metodoligjinë e zbatuar, madhësinë dhe strukturën e mostrës së hulumtuar dhe periudhën në të cilën është bërë matja.

Respektimi i këtyre dispozitave sa i takon publikimit të anketave dhe sondazheve ka shumë rëndësi sepse në këtë mënyrë shmangen manipulimet dhe në njëfarë mënyre, publikut i tregohet se sa të besueshme janë rezultatet.

Interpretime të ndryshme për rezultate të njëjta

U transmetuan nga disa media rezultatet e matjes së opinionit të porositura nga Televizioni Telma dhe të realizuara nga M-Prospekt. Sipas kësaj ankete, kandidati për president Stevo Pendarovski do të votohej nga 25% e qytetarëve, Gordana Siljanovska Davkova do të votohej nga 22,4% kurse Blerim Reka do të votohej nga 10,9% e qytetarëve. 17,9 e qytetarëve nuk do të mbështesnin asnjërin nga kandidatët, kurse 18,3% të tjerë akoma nuk kanë vendosur. (Shembull, disa nga mediat ku u publikuan rezultatet në këtë formë: “Republika”, “MMS”, “Nova Tv”, etj). Në publikimet e shumë mediave dhe në përpunimet e rezultateve mungojnë të dhënat shtesë mbi metodologjinë e anketës, ata që do të duhet ta shoqëronin informacionin për të shërbyer si udhërryfyes për besueshmërinë.

Rezultatet e njëjta, media të ndryshme i interpretuan në mënyra të ndryshme. Për Biznisvesti, anketa e Telmës ka treguar se kandidatja për president Gordana Siljanovska Davkova është zgjedhur me përparësi bindëse ndaj Pendarovskit, nga të anketuarit maqedonas. Ata e fokusojnë informacionin në rrafshin etnik dhe njoftojnë se gjithsej 32,2% e maqedonasve me të drejtë vote janë shprehur se do të votojnë Siljanovskën, 26,1% e të anketuarve maqedonas do të votojnë për Pendarovskin dhe 0,9% për Rekën. Bëhet fjalë vetëm për përzgjedhjet e të anketuarve të përkatësisë etnike maqedonase.

Një anketë tjerë e transmetuar nga mediat sjellë rezultate të tjera nga ato të lartpërmendurat. “DW”, bazuar në burime, raporton se Pendarovski në rrethin e parë do të jetë në përparësi prej 8 deri në 10% nga oponentja e tij Siljanovska. Informacioni i njëjtë, duke ju referuar medias e cila e para e përcolli atë, u publikua edhe nga shumë media të tjera përfshirë edhe mediat në shqip si portali “INA” si dhe portali “Flaka”. 

Anketa online

Anketa e Doznaj
Anketa e Doznaj

Gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, në portale dhe në rrjetet sociale janë publikuar pyetësorë për mbështetjen e kandidatëve për president. 

Shembulli më poshtë i publikuar në portalin “Doznaj” tregon përgjigjen e 569 personave të cilët vetë kanë vendosur që të jenë pjesë e anketës. Numri prej 569 personave nuk mund të llogaritet si mostër e përshtatshme për matjen e përgjithshme të opinionit publik.

Anketa e "Magazin"
Anketa e “Magazin”

Varësisht portalit që ka publikuar pyetësorin, varësisht vizitueshmërisë që ka dhe varësisht katëgorisë së njerëzve që e ndjekin atë, rezultatet e anketave të kësaj natyre janë shumë të ndryshme nga njëra-tjera. Këtë e konfirmon edhe një pyetësor i ngjashëm, rezultatet e të cilit janë publikuar në “Magazin”.

 

 

Për lexuesit

Kujt do t’i besonit në rast se vetëm brenda një dite ose brenda një jave lexoni dy, tre ose më shumë rezultate komplet të ndryshme nga anketat për rejtingun e kandidatëve? Shembujt më lart janë vetëm disa nga përpunimet e rezultateve të anketave dhe sondazheve të ndryshme që janë publikuar në këtë periudhë. Numrat kanë aftësinë për të dhënë efektin e besueshmërisë dhe mediat e dini këtë, prandaj ndodh që edhe e keqpërdorin. Lexuesit duhet të kenë parasysh rregullat e lartpërmendura për të absorbuar ose injoruar të dhënat nga matja e mendimit publik. Sa më shumë informacione mbi metodologjinë matëse të opinionit, aq më afër kredibilietit është rezultati. Sa më shumë persona të jenë marrë në pyetje, aq më afër reales është rezultati.
Sa më të ndryshme të jenë karakteristikat demografike të të anketuarve, aq më gjithpërfshirës është rezultati. Matjet që janë jashtë standardeve, nuk përfaqësojnë mendimin real publik. Partitë politike, nëpërmjet Agjencive të ndryshme ndonjëherë edhe mënipulojnë rezultate të anketave vetëm për të dhënë përshtypjen se qëndrojnë më larg se kundërkandidati dhe se fitorja e tyre nuk do hamendje. Në këtë rast, besimi i publikut duhet të rezervohet vetëm për Agjenci për matjen e opinionit të cilat gëzojnë besueshmëri meqë bëjnë matje reale. Në fund, është e rëndësishme të theksohet se edhe Agjencitë më të besueshme në vend, janë befasuar nga ndryshimi I rezultateve dhe lëvizja e pritshmërive të tyre në ditën e zgjedhjeve.

*Projekti KriThink – “Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – CriThink” zbatohet nga Metamorfozis dhe Eurothink.  Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button