RMV, gjatë punësimeve të administratorëve të hiqet vërtetimi mjekësor, mos paguhet për dokumente

Procedura e punësimit dhe avancimit të administratorëve duhet të bëhet më e lehtë. Këto ishin kryesisht sugjerimet deri te Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), gjatë debatit të sotëm publik për ndryshimet në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për zyrtarët administrativ, njofton Portalb.mk.

Foto nga ngjarja, Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Foto nga ngjarja, Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

MSHIA, sot ka organizuar debat publik në të cilin ka mbledhur mendime për ndryshimin e dy ligjeve që kanë të bëjnë me të punësuarit në sektorin publik. Në prani të përfaqësuesve nga institucionet e ndryshme, sektorit civil, por edhe të mediave, ministri Damjan Mançevski dhe sekretari shtetëror, Jahi Jahiu sot kanë deklaruar se plani i tyre është që të bëjnë ndryshime të këtyre dy ligjeve, megjithatë fillimisht duan të mbledhin mendime nga të gjithë palët e prekura.

“Qëllimi i debatit të sotëm është që ta hapim procesin për reforma në Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për zyrtarët administrativ. Kjo është hera e parë që duan t’i fusim të gjitha palët në fazën përgatitore, pra nuk kemi diçka të gatshme që të prezantojmë, por duam t’i dëgjojmë të gjithë të interesuarit. Presim që këto ndryshime të hyjnë në procedurë diku në qershor-korrik, ose më së voni pas pushimeve, gjegjësisht në shtator. Ne kemi disa analiza dhe pikëpamje nga ana jonë, pra të gjitha institucionet u mblodhëm, por megjithatë duam t’i dëgjojmë të tjerët. Nuk do të shpëtojmë, do të zgjatë ky proces 3-4 muaj”, tha Mançevski.

Foto nga ngjarja, Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Foto nga ngjarja, Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

Sekretari Jahiu tha se në periudhën e kaluar kanë pasur probleme, pasi që nuk janë konsultuar me palët e prekura gjatë miratimit të ligjeve.

Kemi pasur disa probleme në fushën e kulturës, shëndetësisë dhe sociales, për shkak që s’jemi konsultuar gjatë miratimit të ligjeve, por edhe ka pasur një rezistencë nga ana tyre, por tani është koha që të ulemi dhe të bisedojmë që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Me ndihmën e Qendrës për Menaxhim me Ndryshimet dhe OSBE-së kemi filluar të punojmë në ndryshimin e këtyre dy ligjeve dhe i kemi ftuar sektorin për shëndetësi, politikë sociale dhe arsim që në takim pune të përbashkët prej dy ditëve që t’i mbledhin problemet e tyre, se çfarë mendojnë ata, si mund të përmirësohet ligji dhe ata na kanë dhënë propozime”, tha Jahiu.

Foto nga ngjarja, Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Foto nga ngjarja, Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

Drejtori i Agjencisë së Administratës, Spase Gligorov theksoi nevojën që të hiqen disa procedura të cilat janë të panevojshme, gjegjësisht të mos dorëzohet vërtetim mjekësor, por edhe të sigurohen dokumente digjitale, të cilat nuk do të përbënin harxhim për aplikuesit.

“Zbatimi i ligjit ka treguar se një numër i madh i kandidatëve që aplikojnë, rrëzohen nga aplikimi, gjegjësisht selektimi për shkak të të ashtuquajturave, arsyeve teknike. Janë të stërngarkuar me mbledhjen e dokumenteve, të cilat janë të panevojshme për sistemin e meritokracisë, për shembull është e domosdoshme që kandidatët të dorëzojnë vërtetim mjekësorë, pa marrë parasysh nëse pranohen ose jo në punë. Kërkojmë që kjo të hiqet dhe propozojmë që vërtetimet mjekësore të bëhen pas punësimit të aplikantit dhe e njëjta të bëhet nga buxheti i institucionit. Gjithashtu duhet që nëpërmjet sistemit të digjitalizimit të sigurohen dokumentet dhe jo të jenë ngarkesë për aplikantët”, tha Gligorov.

 

Të pranishmit gjithashtu kërkuan nga MSHIA që ta marrë parasysh edhe procedurën e punësimit nga aspekti i meritokracisë, gjegjësisht përzgjedhjes dhe selektimit. Të bëhet më e lehtë procedura për avancim të zyrtarëve administrativ dhe të reduktohet numri i vendeve të punës, gjegjësisht të mos ketë strukturë të zgjeruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button