Thaçi: Ngadalësimi i liberalizimit të vizave, i papranueshëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kritikoi Bashkimin Evropian për, siç tha, vonesë të pakuptimtë në heqjen e vizave për Kosovën, vendin e vetëm në Ballkan që ende nuk ka liberalizim vizash në zonën Schengen.

Thaçi takoi të hënën në Bruksel presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, transmeton REL.

Një komunikatë për media, e lëshuar nga Presidenca e Kosovës, citon Thaçin të ketë thënë se, pas plotësimit të të gjitha kritereve, “ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare”.

Presidenti Thaçi tha se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.

Sipas tij, rajoni po vazhdon të jetë në një status-quo të vështirë, e cila, siç tha, i ngadalëson shumë procese.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë përgjigjja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, u shpreh Thaçi.

Procesi i liberalizimit të vizave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur qysh në vitin 2012.

BE-ja i ka vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërsa në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian ka votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ndërkaq, Këshilli i Ministrave nuk e ka vendosur fare në agjendën e takimit të tij çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button