Kërkesa për arrestim të “gylenistëve, “Jahja Kemal”: Dëshmitë dorëzoni në gjykata, mos shpërndani gënjeshtra

Kërkesa e ministrit të Mbrojtjes i Turqisë, Hullusi Akar për arrestim të pjesëtarëve të Organizatës “Feto” (Fetullah Gyleni), të cilët Presidenca e Shqipërisë i shpalli “terroristë”, ka bërë që Kolegji “Jahja Kemal” të jetë në cak të mediave të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), si pjesë e rrjetit “gylenistë”, transmeton Portalb.mk.

Ndaj kësaj, sot kanë reaguar nga “Jahja Kemal”, duke thënë se për çdo vit, në periudhën e regjistrimit të nxënësve, nga qendra të caktuara, përhapen akuza dhe shpifje të rrejshme.

“Shkollat ​​tona u themeluan me vendim nr.23-2407/1 të Qeverisë së atëhershme të Republikës së Maqedonisë më 16.09.1996. Prej atëherë e deri në ditët e sotme, ato kanë fituar reputacion në fushën e arsimit dhe edukimit si në vendin tonë ashtu edhe në nivele ndërkombëtare. Rezultatet e panumërta që kanë marrë në fushën e aktiviteteve edukativo arsimore në oimpiadat shtetërore dhe ndërkombëtare shkencore vërtetojnë se Jahja Kemal është një brend. Gjithashtu, maturantët me marrjen e diplomave të njohura ndërkombëtare në shkollën tonë janë të regjistruar në universitetet më elite të botës me bursë të plotë, duke dëshmuar kështu kualitetin e arsimit të fituar në shkollat ​​tona. Fatkeqësisht, për të ndikuar në numrin e nxënësve që duan të fillojnë arsimin e tyre në shkollat ​​tona, për çdo vit, në periudhën e regjistrimit për vitin e ardhshëm shkollor nga qendra të caktuara përhapen akuza dhe shpifje të rrejshme. Ne të njëjtat i udhëzojmë që nëse kanë informacione dhe dëshmi specifike për shkollat ​​tona, të drejtohen te autoritetet shtetërore dhe gjykatat, dhe mos të përhapin çdo vit gënjeshtra për të manipuluar publikun”, thanë nga “Jahja Kemal”.

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev tha se ekstradimi i pjesëtarëve të “Fetos” do të ndodh, nëse dëshmohen se janë terroristë.

“Nëse dëshmojnë se ato janë terroristë, Prokuroria do të veprojë edhe pa kërkuar shteti i Turqisë nga ne. Për ne sigurisht janë të rëndësishme, legjislatura vendore, ndërkombëtare dhe raporti miqësor me Turqinë. Ne jemi shtet pretendent për t’u bërë pjesë e BE-së, sigurisht se duhet t’i respektojmë edhe rregullativat ndërkombëtare”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, kohë më parë “Jahja Kemal” ka qenë në cak të kritikave edhe nga ambasadorja e Turqisë në RMV, Tulin Erkal Kara, ku ka apeluar që fëmijët të regjistrohen në Fondacionin “Maarif” nëse nuk dëshirojnë që në të ardhmen të jenë terroristë. Ndaj kësaj patën reaguar nga “Jahja Kemal” duke thënë se nëse ambasadorja ka dëshmi, le t’i dorëzojë në institucionet relevante, kurse gjykata le të vërtetojë kush është terrorist”. Nga Qeveria e RMV-së dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk u ndërmorr asnjë hap për sanskionim të gjuhës së urrejtes së ambasadores, por “është shprehur pakënaqësi ndaj të njëjtës”.

LEXO: Prindërit të revoltuar nga deklarata e ambasadores Kara, por ja çfarë thonë nga Qeveria dhe MASH

“Jahja Kemal” ka qenë në cak të sulmeve nga Qeveria e Turqisë në krye me Rexhep Taip Erdogan, duke u cilësuar bashkëpunëtore e oponentit ideologjik të tij, Fetullah Gylen.

Shkolla mban emrin e pronarit të saj, Jahja Kemal Bejatli, poet turk i lindur në Shkup më vitin 1884.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button