Aleanca e qytetërimeve

Krizat dhe tendosjet mes qenieve, entiteteve, skenaret defetiste për të ardhmen prodhojnë nisma për tejkalimin apo shmangien e tyre, hapa strategjikë nga më të vegjlit deri te ato gjigantet, të përmasave botërore. Nga këto të fundit është Aleanca e Qytetërimeve, një iniciativë me sfond politik por me hark shumë më të gjerë, me qëllime kulturizuese, pro-civilizuese dhe pacifikuese mes aktorëve më të mëdhenj të botës, mes kulturave apo qytetërimeve.

Në fakt është një antitezë e Huntingtonit, e lançuar në vitin 2005 nga Kofi Annani, ish-Sekretar Gjeneral i Kombeve të Bashkuara, e ko-sponsorizuar nga kryeministri spanjoll José Luis Rodríguez Zapatero dhe ai turk Rexhep Tajip Erdogan me qëllim të promovimit të agjendës së qeverisjes së mirë të diversitetit kulturor si në nivelin lokal ashtu edhe në atë global dhe të ndihmës në kundërshtimin e ndarjeve, polarizimeve, esktremizmit si brenda ashtu edhe mes shoqërive. Është formuar nga bindja se për të arritur paqë dhe zhvillim të qëndrueshëm, duhet të adresohen çështjet e ndarjeve afatgjata dhe keqperceptimet mes të ashtuquajturave shoqëri perëndimore dhe islamike. Atë vit, një grup i ekspertëve të lartë u formua nga Annani për t’i shqyrtuar rrënjët e polarizimit mes shoqërive dhe kulturave në kohën e sodit dhe të rekomandojë programe praktike për aksion me qëllim të adresimit të çështjeve në fjalë, për ngritje të urave mes civilizimeve.

Raporti i Grupit të Nivelit të Lartë bëri një analizë që përbën bazën e implementimit të planit të Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara për përmirësimin e relacioneve ndërkulturore mes kombeve dhe bashkësive të ndryshme, për dialog ndërfetar, për promovim të mirëkuptimit dhe respektit mes vendeve ose grupeve të ndryshme identitare, për prevenimin e konflikteve dhe për promovim të kohezionit social. Kjo aleancë mbetet një rrjet global i partnerëve që përfshin shtete, organizata ndërkombëtare dhe rajonale, grupe të shoqërisë civile, fondacione, media, organizata rinore, ligjbërës, syresh me bazë fetare, elemente të sektorit privat etj. Ish-presidenti i Portugalisë, Jorge Sampaio, në maj të 2007-ës është emëruar Përfaqësuesi i parë i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Aleancën e Qytetërimeve, më pas më 2013 është pasuar nga Nasir Abdulaziz en-Nasseri (nga Katari), dhe më 2019 nga Miguel Ángel Moratinos (Spanjë).

Ndër aktivitetet e AQ, shpesh në bashkëpunim me entitetet e tjera të Kombeve të Bashkuara, janë iniciativat për për ripajtim, paqëndërtim, kundër racizmit dhe ksenofobisë, kundër ekstremizmit të dhunshëm, kundër gjuhës së urrejtjes ndaj migrantëve dhe refugjatëve (si #SpreadNoHate initiative), programe edukative në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, për ndërtim të kapaciteteve, për inkluzion dhe mirëkuptim të diversitetit, për mbrojtje të drejtave të të shtypurve dhe të të persekutuarve.

AQ akordon shpërblime si (si Intercultural Innovation Fund Award), organizon debate, konferenca (si ajo për “Vëllazërinë Njerëzore”), forume (Madrid, Rio, Stamboll, Doha, Vienna, Bali, Baku), platforma tematike si #Commit2Dialogue, shkolla verore, bashkëpunimin city-to-city, shërben si vegël e fuqisë së butë ose e diplomacisë preventive përmes motto-s “nga narrativat garuese te aksionet bashkëpunuese”. Projekt-rezoluta e parë e AQ, është aprovuar në Këshilli i Përgjitshëm i OKB-së më 2009, kurse e dyta (“Kultura e Paqës”) më 2015. Ka të nënshkruara UNESCO, Organziatën Ndërkombëtare për Migracion (IOM), Ligën e Shteteve Arabe, Këshillin e Europës, Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, Organziatën Islamike për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (ISESCO) etj. Aleanca e Qytetërimeve politikisht mbështetet nga Grupi i Miqve që numëron gjithsej 146 anëtarë, shtete dhe organziata ndërkombëtare që i promovojë objektivat e saj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button