Opera e Lypsarëve shfaqet të shtunën në Shkup (VIDEO)

Vepra e mirënjohur teatrore ‘Opera e lypsarëve’ e shkrimtarit të famshëm, eseistit dhe dramaturgut të madh çek Vaslav Havel, më 15 shtator, të shtunën , do të shfaqet para publikut të Shkupit në Teatrin Shqiptar. Drama fillon në ora 20:00.

Për regjisorin e dramës Dino Mustafiç teksti i dramës flet për frikën për lidhshmërinë e korrupsionit me kriminalitetin, dyfytyrësisë, shlyerjen se vlerave morale të të gjithë protagonistëve të dramës.

“Ajo që është me rëndësi në këtë dramë është se ajo hap një sërë problemesh ekzistenciale tonat jo vetëm në Maqedoni por edhe në tërë Ballkanin sepse mund të themi se është një periudhë tranzicioni, si që e quajnë shumica, por në fakt ka qenë dhe mbetet periudhë e vjedhjeve të paskrupulta, vend në të cilin çdo bandit, çdo kriminel i veshur në petkun politik e ka shfrytëzuar këtë periudhë të vështirë për të krijuar një pasuri marramendëse. Dhe pas gjithë kësaj qëndron shteti dhe sistemi në të cilin individi është kryesisht i pavlerë, ai është i blerë, ai hesht” ka thënë Mustafiç në një intervistë ekskluzive për Portalb.

Në këtë dramë rolin kryesor e ka Xhevdet Jashari ndërsa luajnë aktorët e njohur si Adem Karaga, Bajrush Mjaku, Armenis Nokshiqi dhe të tjerë.

Opera e Lypsarëve kishte sukses marramendës para të pranishmëve në skenën e amfiteatrit të Ohrit, në kuadër të Verës së Ohrit më 18 korrik.  

Drama do të ri-shfaqet edhe më 25 shtator, në kuadër të festivalit MOT. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button