Nga 190 mijë të papunë, vetëm gjysma janë regjistruar në Agjenci

Rreth 190 mijë persona janë regjistruar në Agjencinë për punësim si persona të papunë, ndërsa gjysma e tyre janë kërkues pasivë, gjegjësisht në çdo gjashtë muaj ata vetëm regjistrohen në Agjenci. Nga ata që kërkojnë punë, një pjesë e madhe nuk paraqiten në intervistat për punë, ndërsa nga ata që shkojnë për intervistë pune, gjysma nuk e pranojnë punën, transeton Novatv.mk, përcjell Portalb.mk.

– Kushtimisht ne ballafaqohemi me problem kur ndonjë punëdhënës kërkon fuqi punëtore. Ka situata kur 70 përqind të papunëve të ftuar nuk vijnë në intervistë, pasi që nuk është e obligueshme. Nga 30 përqind të atyre të cilët vijnë në intervistë, 50 përqind shkojnë në intervistë me punëdhënësin, por më së shpeshti e refuzojnë punën. Arsyet janë nga më të ndryshmet, gjegjësisht nuk u përgjigjet vendi, paga, ndërrimi…, theksoi sot në konferencën për shtyp drejtoresha e Agjencisë për punësim Biljana Jovanovska.

Ajo vuri në pah se ka situata kur një vend i caktuar pune figuron si i lirë, ndërsa punëdhënësi ndërkohë përmes shpalljes e ka gjetur personin të cilin do ta punësojë, kështu që kur të papunët paraqiten për atë vend pune, punëdhënësi i njofton se vendi tashmë është i plotësuar. Kjo, sipas Jovanovskës, krijon mosbesim ndërmjet gjithë aktorëve në tregun e punës.

– Ne parimisht e shpallim vendin e punës, ndërsa punëdhënësi ndërkohë e ka gjetur personin të cilin do ta punësojë, ashtu që kur personat e papunë paraqiten në shpallje punëdhënësi u thotë se vendi veç më është plotësuar dhe personi i papunë e humb besimin në institucionin tonë. Jemi duke punuar rreth këtij problemi dhe duam të arrijmë te një pasqyrë reale të vendeve të lira të punës, për të filluar krijimin e besimit ndërmjet të gjithë aktorëve. Për këtë, të gjithë duhet të jemi të sinqertë, gjegjësisht të papunët të jenë i sinqertë, nëse vërtet duan që Agjencia të ndërmjetësojë për punësimin e tyre, pastaj nëse punëdhënësit vërtetë kanë nevojë për fuqi punëtore, ndërsa ne si institucion t’i forcojmë kapacitetet dhe të përkushtohemi maksimalisht në ndërmjetësimin, thotë Jovanovska.

Sa i përket Planit operativ për programe dhe masa aktive për punësim në vitin 2019 për zbatimin e tij është planifikuar buxhet prej 1.1 miliardë denarë, ndërsa janë planifikuar të përfshihen të paktën 8,500 persona. Realizimi me sukses prej 95 për qind, sipas Jovanovskës, ka pasur edhe Plani operativ për vitin 2018 me të cilin kanë qenë të përfshirë rreth 6,500 persona prej të cilëve 53 përqind ishin të rinj deri 29 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button