Shkup, filloi olimpiada ballkanike e informatikës

Gjithsej 50 studentë nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Belgjika, Serbia dhe Turqia do të marrin pjesë në “Olimpiadën e Informatikës 2019” që do të mbahet nga dita e sotme deri më 14 prill në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Olimpiada është organizuar nga IBU në bashkëpunim me Shoqatën e Informatikantëve të Maqedonisë.

Zëvendësrektorja i IBU-së, Prof.Dr. Aleksandra Porjazovska Kujunxhiski, para hapjes solemne të olimpiadës theksoi se shkenca është e domosdoshme për jetën dhe njohja e informatikës nuk paraqet vetëm njohuri, por ajo është një aftësi.

“Ideja është që të shpërndahen njohuritë dhe të tregohet nevoja për inkuadrimin e informatikës në çdo segment të shoqërisë sonë dhe të rritet ndërgjegjësimi i nxënësve të shkollave të mesme për rëndësinë njohjes së kësaj çështjeje në çdo sferë të jetës”, tha Porjazovska.

Ajo tha gjithashtu se garuesit janë ish-fitues të medaljeve jo vetëm në olimpiada kombëtare në informatikë, por edhe nga olimpiada ballkanike, evropiane dhe botërore të nivelit junior.

Kryetari i Komisionit të Olimpiadës, Prof.Dr. Arjan Skuka, tha se me organizimin e olimpiadës, IBU ka treguar një vizion dhe iniciativë që për herë të parë në Maqedoninë e Veriut tër organizohet një olimpiadë programimit.

“Shpresoj që të ketë një ndikim pozitiv në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e inxhinierisë softuerike dhe inxhinierisë kompjuterike në Maqedoni dhe më gjerë”, tha Skuka, duke shtuar se olimpiada ndjek trendet bashkëkohore të këtyre garave në botë.

Kryetari i Shoqatës së Informatikantëve të Maqedonisë, Prof.Dr Mile Jovanov, tha se shoqata më shumë se dhjetë vjet punon për të inkuadruar më shumë informatikën në arsimin fillor dhe të mesëm për të ndërtuar kuadro të mirë.

“Maqedonia ka arritur rezultate të mira në këtë fushë. Ne e dimë se punët më të paguara në Maqedoni janë në fushën e shkencave kompjuterike. Më vjen keq që nuk kemi ndoshta edhe sukses më të madh, progres edhe më të madh”, theksoi Jovanov.

Fituesit e garave do të shpërblehen me medalje dhe pllaka.

“Olimpiada e Informatikës 2019” mbështetet nga Olimpiada Ndërkombëtare e Informatikës, Olimpiada Ballkanike e Informatikës dhe Olimpiadën Kombëtare e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button