Reagoi “Metamorfozis”: Subvencionimi i mediave çon drejt kontrollit të tyre

Fondacioni për shoqëri dhe internet, “Metamorfozis” ka reaguar ndaj tendencave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV), për subvencionim të mediave, dhe konsideron se ndihma nuk duhet të bëhet përmes dhënies së drejtpërdrejtë të mjeteve financiare, por duke ulur tatimet dhe duke liruar nga taksat mediat, transmeton Portalb.mk.

Nga “Metamorfozis” vlerësojnë se kjo mënyrë e ndihmës financiare do ta minojë pavarësinë redaktuese dhe rrit ndikimin politik ndaj mediave.

“Dhënia e drejtpërdrejtë e mjeteve publike për shtëpitë mediatike, të cilat në përbërjen e tyre kanë më shumë media, shumë lehtë mund të çojë në konflikt me kufizimet e parapara me Ligjin për kontrollin e ndihmës shtetërore dhe Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës. Në rastet e tilla, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë të monitorohet dhe të konstatohet se si dhe ku janë shpenzuar paratë e dhëna, gjegjësisht a shfrytëzohen ato për medien e paraparë ose për qëllimin e paraparë. Jo rrallë shtëpitë mediatike në vend janë pjesë e konsorciumeve ose grupeve të kompanive me strukturë komplekse të pronësisë. Bizneset e këtilla kanë interesa në shumë veprimtari ekonomike që nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me mediat. Përveç interesave ekonomike, ato kanë edhe interesa politike, të cilat i realizojnë përmes lobimit dhe lidhshmërisë me partitë politike. Në një situatë të tillë, dhënia e drejtpërdrejtë e mjeteve publike i vë mediat mediat në një pozicion që çon në minimin e pavarësisë redaktuese dhe të lirisë mediatike, në prishjen e integritetit dhe rritjen e ndikimit politik”, thuhet në reagimin e “Metamorfozis”.

Nga atje thonë se trendi i zvogëlimit të rentabilitetit, të ardhurat e ulëta, largimi nga puna i gazetarëve dhe i punëtorëve mediatikë, dhe trendi i ndikimit të politikës në media, rezultoi edhe me mbylljen e tre gazetave më të mëdha, “Dnevnik”, “Utrinski vesnik” dhe “Vest” dhe televizionit kombëtar “TV Nova”.

Sipas “Metamorfozis”, ndihma financiare duhet të jepet: “Për gazetari cilësore, profesionale dhe pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për media të shkruara, elektronike apo medie onlajn”.

Sipas tyre, ndihma duhet të jetë përmes:

  • Inkurajimit të punësimit të gazetarëve – lirimi nga taksat;
  • Uljes së tatimeve – TVSH-së për mediat;
  • Lirimit nga pagesa e taksave doganore dhe tatimeve për importin e pajisjeve të reja dhe moderne;
  • Lirimit nga pagesa ose ulja e taksave për bizneset “start-up” (fillestare) mediatike;
  • Sigurimit të kushteve për trajnime për gazetarët;
  • Subvencioneve për edukimin dhe edukimin plotësues të gazetarëve dhe punëtorëve mediatikë;
  • Ndihmës jofinanciare për krijimin e ekipeve për verifikimin e fakteve në redaksitë më të mëdha ose për mediat që tashmë punojnë në verifikimin e fakteve, si një vegël e veçantë dhe metodë hulumtuese në gazetari, me të cilën mund të përforcohet lufta kundër dezinformatave dhe manipulimeve;
  • Lehtësimeve nga ana e vetëqeverisjes lokale (nga hapësira fizike e deri te lirimi nga pagesa e taksave të ndryshme, siç është për shembull taksa për firmë);
  • Subvencioneve jofinanciare që nuk janë përmendur këtu, e të cilat në debatin e mëtejshëm publik do të lindnin si ide nga përfaqësuesit e komunitetit mediatik.

Ata sqarojnë se rekomandimet e tyre rezultojnë me praktikën mediale të RMV-së, praktikën mediale evropiane, të cilat parashihen edhe në Rekomandimin për vendet anëtare për sigurimin e pluralizmit mediatik dhe pronësisë transparente të mediave të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (2018); Deklaratën e Komitetit të ministrave për qëndrueshmërinë financiare të gazetarisë së mirë në epokën digjitale mediatike (2019); mendimin e Fondit Medial të Zvicrës, të shprehur në botimin “Ndihmë për mediat: gjendja momentale dhe rekomandime për të ardhmen”.

LEXO: Me 50 milionë denarë Qeveria do t’i subvencionojë mediat e shtypura

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button