SHGM ka formuar seksionin e kameramanëve të Maqedonisë së Veriut

U formua seksioni i kameramanëve pranë Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë(SHGM), njoftojnë nga SHGM, transmeton Portalb.mk

Nga SHGM thonë se qëllimi i krijimit të seksionit është përmirësimi i kushteve për punën e kameramanëve, si dhe përmirësimi i bashkëpunimit të kameramanëve dhe institucioneve. Në të marrin pjesë kameramanë profesionistë nga pothuajse të gjitha televizionet kombëtare të Maqedonisë si dhe nga Radiotelevizioni i Maqedonisë.

Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski përshëndeti të pranishmit dhe tha se do të mbështeste pa kusht kameramanët në kërkesat e tyre.

“Duke u bashkuar kameramanët në seksionin e SHGM-së, krijohen kushte për përmirësimin e kushteve për punën e tyre, si dhe për mbrojtjen, kudo që gjenden në terren, në institucione ose jashtë tyre. Kameramanët janë një vlerë e shtuar dhe një element thelbësor i gazetarisë hulumtuese, dhe ne presim përmes këtij seksioni të ndikojmë për komunikim më të mirë brenda redaksive, midis kameramanëve, gazetarëve dhe redaktorëve”, tha Çadikovski.

Nga SHGM njoftojnë se gjatë takimit janë sjellë tre konkluzione ose udhëzime në bazë të së cilëve do të funksionojë seksioni i kameramanëve. Së pari, do të përgatitet një rregullore për kameramanët, si dhe për përfaqësuesit e institucioneve që punojnë në protokoll në temën e ndjekjes profesionale të ngjarjeve, praktikave vendore dhe ndërkombëtare dhe aspekteve ligjore. Më pas të gjithë u pajtuan se duhet të organizohen takime me përfaqësuesit e gjykatave, prokurorive dhe ministrive, me qëllim që të përmirësohen kushtet për punën e kameramanëve. Kameramanët kërkuan të punohet edhe në përmirësimin e bashkëpunimit midis kameramanëve dhe gazetarëve përmes organizimit të ngjarjeve të përbashkëta të rrjetëzimit dhe aktiviteteve të tjera të ndërtimit të kapaciteteve.

Gjithashtu, u diskutua edhe për zgjerimin e këtij seksioni në të ardhmen dhe kameramanëve të tjerë, veçanërisht atyre që punojnë në qytetet tjera në televizionet rajonale dhe lokale.

Gjatë takimit të djeshëm, seksioni i kameramanëve njëzëri zgjodhi kryesinë e tyre. Sllave Stojanovski, Trajçe Ilievski dhe Zoran Dogov do të përbëjnë kryesinë që do të udhëheq aktivitetet e seksionit. Në kryesinë do të hyjnë edhe nga një kameraman nga televizionet që transmetojnë program në nivel nacional.

Para disa javësh, brenda SHGM-së, u formua seksion i gazetarëve të sportit dhe në periudhën që vjen SHGM, si pjesë e përpjekjeve të asamblesë zgjedhore, do të vazhdojë të formojë seksione të ngjashme me qëllim që të lehtësojë punën e grupeve të ndryshme të gazetarëve dhe punëtorëve të medias.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button