Më krenar për Shaqirin, se sa për të shiturit e Tiranës

Shqipëria humbi me meritë ndeshjen me Zvicrën, duke shuar dhe stuhinë patriotike të nxitur nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i hodhi benzinë një zjarri primitiv mes shqiptarëve. Xherdan Shaqiri, futbollisti i shquar shqiptar i Bajernit të Munihut, shënoi i pari golin kundër ekipit shqiptar, duke ruajtur standardin e tij si një lojtar perëndimor.

Edhe pse për ne ishte një gol i dhimbshëm, stuhia ‘patriotike” kundër tij është një turp, për të cilin duhet t’i kërkojmë ndjesë. Kombëtarja shqiptare e futbollit, një produkt jo natyral, i prodhuar nga pazaret e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe presidentit të saj, ka mbi supet e saj padrejtësisht vulat e turpit të shitjeve të ndeshjeve, të pazareve për të hyrë në formacion, dhe mbi të gjitha peshën e pazareve të drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Kjo federatë, e cila në rekrutimin e futbollistëve nuk niset nga vlerat, por nga numri i llogarisë, dhe është aleatja kryesore e serbëve dhe Platinisë për bllokimin që Kosovës i bëhet për të pasur një ekip kombëtar, apo që ekipet e Kosovës të luajnë në ligën e Shqipërisë për tu afirmuar në botë, është e fundit që duhet të flasë për patriotizëm, pasi nuk ka turp më të madh se sa të identifikohet Shqipëria me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Xherdan Shaqiri, Xheka, Berhami dhe gjithë shqiptarët kudo në Evropë, që luajnë me ekipe të mëdha dhe ekipe kombëtare, na bëjnë shumë herë më tepër nder sa “batakçinjtë patriotë” shqiptarë. Ata janë ambasadorët më të mirë të kombit shqiptar në botë dhe i bëjnë nder çdo shqiptari.

Të kompleksuar aq shumë nga histeria ‘patriotike’ kundër tyre, ne pamë Xhakën që na fali duke mos shënuar gol dhe Mehmedn që u gëzua që topi i tij përfundoi në duart e portierit. E gjithë kjo është ndjesi që ata e kanë nga presioni i pamoralshëm i një opinioni të sëmurë mbi ta. Shqipëria dhe shqiptarët nuk njihen në botë prej Armand Dukës dhe rrethit të tij kleptokrat, por nga djemtë shqiptarë të talentuar si Shaqiri, Xheka, Mehmedi, Berhami, Xhemaili dhe kushdo tjetër që ka mbërritur suksesin në vende të lira, pa u ndjerë të frustruar nga njerëz që shesin Shqipërinë natën dhe e qajnë ditën.

Faleminderit Xherdan Shaqiri, që sonte kemi me se mburremi si shqiptarë, edhe pse një prej ekipeve shqiptare humbi.

Marrë nga: Gazeta Tema

Lajme të ngjashme

Back to top button