Gjykata britanike ka shpallur fajtor Assange-n për shkelje të lirimit me kusht

Gjykata britanike ka vendosur masën e paraburgimit për themeluesin e WikiLeaks Julian Assange pasi e ka shpallur fajtor për thyerjen e kushteve të lirimit të tij me kusht në vitin 2012, kur nuk iu dorëzua shërbimeve të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjyqtari Michael Snow në Gjykatën Themelore në Westminster tha se Assange do të dënohet më 2 maj në Gjykatën Mbretërore Southwark, ndërsa, sipas raportimeve, ai tani përballet me një burgim deri në 12 muaj.

Snow tha se Assange kishte treguar “sjellje të një narcisisti i cili nuk mund të kalojë përtej interesit të vet egoist”.

Assange u arrestua sot pasi Ambasada e Ekuadorit në Londër vendosi të dëbonte atë nga ndërtesa e saj.

Policia britanike tha se ai u arrestua për shkak të shkeljes së lirimit të tij me kusht në vitin 2012 dhe në emër të SHBA-së për shkak të një urdhri për ekstradim.

Kryeministrja Theresa May mirëpriti arrestimin, duke konfirmuar se Assange është “arrestuar gjithashtu në lidhje me kërkesën për ekstradim nga autoritetet e SHBA-së”.

Duke falënderuar policinë për “profesionalizmin e madh” dhe duke përshëndetur “bashkëpunimin e qeverisë ekuadoriane”, May gjatë një deklarate në parlamentin britanik tha se arrestimi “tregon se në Britani askush nuk është mbi ligjin”.

Assange ka qëndruar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për gati shtatë vjet që kur kërkoi azil diplomatik në qershor të vitit 2012, pasi kërkohej nga prokurorët suedezë me akuza për kundërvajtje seksuale.

Suedia ka rrëzuar akuzat kundër tij, por Assange mbeti sërish në ambasadë nga frika e ekstradimit në SHBA me akuzat për publikimin e dokumenteve të fshehta të qeverisë amerikane nga WikiLeaks.

Ai do të ekstradohej në Stokholm nga autoritetet britanike para se të hynte në ambasadë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button