Sudan, ka përfunduar periudha 30-vjeçare e Omar al-Bashir

Protestat e popullit sudanez që filluan katër muaj më parë si pasojë e krizës ekonomike, i kanë dhënë fund qeverisjes 30-vjeçare të presidentit Omar al-Bashir, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Mbrojtjes Awad bin Auf sot në një deklaratë tha se Këshilli Suprem Ushtarak i Sudanit ka marrë kontrollin mbi qeverinë dhe njoftoi arrestimin e presidentit Bashir.

Auf tha se në vend është pezulluar kushtetuta dhe janë shpërbërë qeveria, parlamenti dhe qeveritë provinciale, duke njoftuar nisjen e një periudhe dyvjeçare të tranzicionit.

Ai po ashtu bëri të ditur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për një periudhë tremujore.

Omar al-Bashir, i cili erdhi në pushtet me puç ushtarak në qershor të vitit 1989 pas krizës ekonomike që përfshiu Sudanin, i cili nga pavarësia në vitin 1956 kishte qenë skenë e një politike dinamike, u largua nga detyra me ndërhyrje të ushtrisë pas protestave popullore të inicuara sërish për shkaqe ekonomike.

Me puçin e fundit, Sudani, vend me ndërthurrje të bashkësive afrikane dhe kulturës arabe dhe me popullsi prej rreth 40 milionë banorësh, në 60 vitet e fundit ka përjetuar pesë puçe ushtarake dhe dy luftëra civile.

– Mareshal Omar al-Bashir

Ish-presidenti sudanez, Mareshal Omar Hasan Ahmed al-Bashir, lindi më 1 janar të vitit 1944 në qytetin Shendi të provincës së Lumit Nil në veri të kryeqytetit Kartum.

Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, kurse më pas së bashku me familjen u shpërngul në Kartum, ku kreu shkollën e mesme.

Familja e tij kishte prejardhje beduine nga fisi al-Bedarija al-Damashja. Martesën e parë e realizoi me kushërirën Fatima Khalid.

Bashir, i cili iu bashkua ushtrisë së Sudanit në vitin 1960, mori trajnime ushtarake në Egjipt, Malajzi dhe Pakistan. Ai ishte pjesë e ushtrisë së Egjiptit gjatë luftës së Sirisë dhe Egjiptit me Izraelin. Në vitin 1975, Bashir shërbeu si atashe në Emiratet e Bashkuara Arabe, kurse në vitin 1981 u kthye në Sudan, ku vazhdoi detyrat ushtarake.

Në vitin 1989, ushtria sudaneze, në të cilën Bashir mbante gradën brigadier gjeneral, mori përsipër pushtetin përmes një puçi pa gjakderdhje.

Bashir, si kryetar i Këshillit të Komandës së Revolucionit Çlirimtar Kombëtar, që ishte organi ekzekutiv dhe legjislativ i themeluar në periudhën e tranzicionit, emëroi veten si president më 16 tetor të vitit 1993.

Bashir rezultoi triumfues në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 1996, 2001, 2010 dhe 2015.

– Nga pavërisa deri në viti 1989

Sudani, i qeverisur nga Administrata e Përbashkët Britaniko-Egjiptiane (Condominium) nga viti 1899 deri në vitin 1956, shpalli pavarësinë nën kryesimin e Ismal al-Azhari, i cili synonte përfundimin e qeverisjes britanike dhe bashkimin me Egjiptin.

Qeveria e koalicionit, e formuar nën udhëheqjen e Azharit, në vitin 1958 u përball me puçin e parë dhe u qeveris nga gjenerai Ibrahim Abbud deri në kryengritjen popullore të vitit 1964.

Partia e Umetit dhe Parti e Unitetit Kombëtar në vitin 1965 formuan koalicion dhe nisën qeverisjen civile në vitin 1965, por pas ashpërsimit të rivalitetit politik në vend, koloneli Gaafar al-Numeiry realizoi një puç ushtarak majtist dhe në vend filloi regjimi njëpartiak i Unionit Socialist të Sudanit.

Rritja e politikave të arabizimit në jug të vendit dhe hapat kundër misionarizmit shkaktuan reagime popullore në këtë rajon, me çka pasoi luftë civile që zgjati deri në vitin 1972.

Në vitin 1977, Numeiry filloi të kërkojë aleancë me islamistët dhe emëroi si ministër të Drejtësisë liderin e Vëllazërisë Muslimane (Ihvan), Hasan al-Turabi.

Shpallja e sheriatit në vitin 1983 shkaktoi reagime te grupet jomuslimane. Lëvizja e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Sudanit (SPLM/A), e themeluar në vitin 1985, zvarriti Sudanin e Jugut drejt luftës civile.

Gjatë vizitës së Numeiryt në SHBA në vitin 1985, ministri i Mbrojtjes, gjenerali Abdurrahman Swar al-Dahab, realizoi një puç pa gjakderdhje dhe mori përsipër detyrën e presidentit.

Në vitin 1986, vendi sërish kaloi në regjimin parlamentar, me çka Fronti Kombëtar Islam (NIF), Partia e Umetit dhe Partia Unioniste Demokratike formuan koalicion, ndërsa Sadik al-Mahdi, lideri i Partisë së Umetit, u bë kryeministër.

Një nga hapat më kritikë të hedhur nga qeveria e Mahdit ishte arritja e armëpushimit me separatistët e Sudanit të Jugut në vitin 1988 dhe pezullimi i sheriatit.

Sudani u përfshi nga kriza ekonomike dhe lufta civile përkundër të gjithë këtyre hapave dhe në vitin 1989, gjenerali Omar al-Bashir mori kontrollin mbi pushtetin.

– Partneritet me Ihvanin

Pasi Omar al-Bashir mori përsipër qeverinë, ai filloi të punojë së bashku me lëvizjen Ihvan në vend. Ai bashkëpunoi me krahun politik të Ihvanit, Fronti Kombëtar i Shpëtimit.

Qeveria duke filluar nga viti 1990 në rajonet veriore të vendit rifilloi sërish zbatimin e sheriatit.

Lideri i Frontit Kombëtar të Shpëtimit, i cili gjithashtu ishte kryeparlamentari i vendit, Hasan al-Turabi, tërhoqi reagimin e palës së Bashirit, pasi në vitin 1999 përgatiti një propozim-ligj që do t’i mundësonte parlamentit t’i japë fund detyrës së presidentit.

Ngjarjet e rëndësishme që në vitet 1990 ndryshuan imazhin e Sudanit në botë ishin tentimi për vrasje ndaj presidentit të atëhershëm të Egjiptit, Hosni Mubarak në vitin 1995 në Etiopi, për të cilin përgjegjësia ishte hedhur mbi Ihvanin e Sudanit, si dhe kur Osama bin Laden, lideri i organizatës terroriste Al Kaeda, kishte filluar të jetojë në Sudan.

– GJNP vendim për arrestimin e Bashir

Përleshjet të cilat në vitin 2003 shpërthyen në rajonin Darfour të vendit dhe ende janë duke vazhduar, përveç krizës humanitare, shkaktuan që qeveria e Sudanit të akuzohet për gjenocid.

Në përleshjet mes forcave qeveritare dhe forcave milice Janjaweed të mbështetura nga qeveria nga njëra anë dhe fiseve në rajon në anën tjetër, kanë humbur jetën dhjetra mijëra persona, ndërsa mbi dy milionë njerëz u zhvendosën nga vendet e tyre.

Për shkak të çështjes së Darfourit, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) vendosi arrestimin e presidentit Omar al-Bashir me arsyetimin se është kryer gjenocid.

Kriza në masë të madhe dëmtoi imazhin e qeverisë së Kartumit, por edhe të Bashirit.

– Ndarja e Sudanit të Jugut goditi ekonominë

Pas bisedimeve të paqes të cilat qeveria e Kartumit i bëri me grupet rebele të Sudanit të Jugut, në vitin 2005 u nënshkrua Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Paqes dhe në vitin 2011 u vendos për një referendum në jug të vendit.

Pasi në referendum doli vendimi për pavarësi, Sudani humbi pjesën më të madhe të të ardhurave nga nafta dhe përjetoi një rënie ekonomike të shpejtë për shkak të deficitit në tregtinë e jashtme.

Sudani humbi 75 për qind të rezervave të saj të naftës, ndërsa u përball me probleme serioze ekonomike, siç ishte inflacioni i lartë dhe mungesa e rezervave në valutë të huaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button