Mbeturinat në Komunën e Tearcës, të derdhura rrugëve për ditë të tëra

Qytetarë të fshatrave të Komunës së Tearcës ankohen se ndërmarrja “Eko Flor” e cila duhet t’ua mbledh mbeturinat, nuk i mbledh të njejtat në ditët e caktuara, andaj dhe mbeturinat ngelen për ditë të tëra në rrugë. Nga ana tjetër, nga ndërmarrja “Eko Flor” thonë se arsyeja është mospagesa e qytetarëve në kohë, transmeton Portalb.mk.

Mbeturina të shpërndara rrugëve është pamja me të cilën qytetarët e Komunës së Tearcës përballen çdo ditë. Ndërmarrja e cila ka fituar tenderin për grumbullimin e të njejtave, “Eko Flor” nuk e realizon punën në ditët e parapara. Qytetarët ankohen se mbeturinat që ngelin në rrugë me ditë të tëra shpërndahen gjithandej nga qentë endacak, te njejtat edhe pengojnë kalimin e lirshëm të makinave dhe lëshojnë erë të keqe.

Mbeturinat në Komunën e Tearcës, 11.04.2019
Mbeturinat në Komunën e Tearcës, 11.04.2019

Nga Komuna e Tearcës thonë se janë të njoftuar për problemet me mbeturinat pasi qytetarët shpesh i kanë paraqitur të njejtat në komunë. Megjithatë, siç thonë ata, kompania “Eko Flor” nuk ka kapacitet për grumbullimin e tyre në kohë dhe me mjete adekuate.

“Jemi të njoftuar me problemet pasi qytetarët i kanë paraqitur vetë në komunë. Kompania “Eko Flor”, Bogovinë, ka të nënshkruar kontratë tashmë 15 vite me Komunën e Tearcës. Megjithatë, e njejta nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të grumbulluar mbeturinat. Ne treg nuk paraqiten kompani tjera të interesuara për kryerjen e të njejtit shërbim, andaj dhe nuk kemi zgjidhje tjetër”, thanë nga Komuna e Tearcës.

Përgjegjës për mbikqyrjen dhe inspektimin e punën së kompanisë “Eko Flor” është Inspektoriati për punë komunale i Komunës së Tearcës. Të pyetur për të njejtin problem, ata thonë se i kanë tërhequr vëmendjen disa herë kompanisë, mirëpo deri sot nuk kanë shqyrtuar dënim për të njejtën.

“Kemi kryer inspektimin dhe i kemi parë problemet. Është e vërtetë që makinat janë të amortizuara dhe lëshojnë lëngun e mbeturinave rrugëve. Ia kemi tërhequr vërejtjen disa herë kompanisë. Problemet janë zgjidhur në afat të shkurtë, por përseriten sërish pas ca kohëve. Meqë nuk ka kompani tjetër të interesuar për të kryer shërbimin, ky është i vetmi opsion që kemi”, tha Jusuf Murati, kujdestar komunal në Inspektoriatin për punë komunale të Komunës së Tearcës.

Mbeturinat në Komunën e Tearcës, 11.04.2019
Mbeturinat në Komunën e Tearcës, 11.04.2019

Nga ana tjetër nga ”Eko Flor” thonë se mbledhja e mbeturinave vonohet shkaku se qytetarët nuk e kryejnë pagesën në kohë. Ata gjithashtu theksojnë se nuk është e vërtetë se nuk kanë kapacitet për kryerjen e shërbimit.

“Mbeturinat nuk janë mbledhur për shkak të mospagesës së qytetarëve. Disa qytetarë që nuk kanë paguar nuk u janë marrë mbeturinat shkaku i pagesës. Kurse sa për kapacitetin, nuk është e vërtetë se nuk kemi kapacitet. Kemi 24 kamionë për të kryer shërbimin. 6 prej tyre i kemi rezervë “, tha Haki Iljazi, drejtor i “Eko Flor”.

Qytetarët thonë se nuk është e vërtetë se arsyeja është mospagesa.

“I kemi paguar, bile edhe gjashtë muaj ose një vit më tepër që të vijnë edhe t’i marrin. Vijnë me shumë vonesë dhe mbeturinat ngelin në rrugë disa ditë, edhe kur i mbledhin mbeturinat nuk i mbledhin si duhet. Kontenierët i lënë të shpërndarë nëpër rrugë, lëshojnë lëngun e mbeturinave rrugëve. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi sepse nuk e bëjnë punën falas, por i paguajmë”, tha një nga banorët e fshatit Sllatinë, ku mbeturinat është dashur të merren ditën e martë, ndërkaq janë marrë sot, ditë e ejte.

Mbeturinat në Komunën e Tearcës, 11.04.2019
Mbeturinat në Komunën e Tearcës, 11.04.2019

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button