Faljet e lamtumirës

Flitet se të dënuarit për rastin e 27 Prillit kanë dërguar kërkesa deri tek Ivanov për të fituar falje presidenciale në bazë të së cilës ata shpresojnë të lirohen nga vuajtja e dënimit. Dhe Ivanov, si president “shembullor” që vazhdon të jetë, i shqyrton këto kërkesa. Duke qenë se pritet që ai të vazhdojë të jetë president “shembullor” deri në ditën e fundit të mandatit të tij, nuk është fare çudi nëse ai vendos t’u përgjigjet pozitivisht këtyre kërkesave. Fundja nuk është se nuk e ka bërë më herët këtë “akt heroik”. E çka do i kushtonte që ta përsërisë edhe një herë, si dhuratë përfundimtare me të cilën do i arsyetonte tërësisht të dy mandatet e tij dhe këto dhjetë vjetë mizerabël që i kemi kaluar me president si ai? Atij nuk do i kushtonte asgjë, ndërsa neve do na kushtonte shumë. Deri sa t’i zgjidhnim ne dilemat juridike rreth vlefshmërisë së atyre faljeve hipotetike koha do të kalonte ndërsa ato falje do të rrezikonin sërish të prodhojnë pasoja juridike të cilat do të vazhdojmë ti vuajm në të ardhmen, së bashku me ato pasoja të faljeve paraprake të vitit 2016 të cilat sot e kësaj dite na shkaktojnë kokëdhimbje në shumë procedura penale të cilat vazhdojnë të zhvillohen.

Dhe ja ku riaktivizohet sërish debati të cilit ia kushtuam vitin 2016: ka apo nuk ka Ivanov të drejtë të falë pa procedurë paraprake në bazë të nenit 11 të Ligjit për Falje?

Ivanov nuk ka pasur të drejtë të tillë as në vitin 2016 dhe nuk e ka këtë të drejtë as sot. Kjo është kështu për më tepër arsye.

Së pari, jemi në periudhë parazgjedhore dhe çdo përdorim i të drejtës për të falur në këtë periudhë do të ishte në kundërshtim me ligjin. Një gjest i tillë do të kishte pasoja politke dhe ndikim direkt mes përkrahësve të partisë në pushtet ose në opozitë. Një gjest i tillë do të ishte identik me punësimet që ndodhin gjatë fushatava parazgjedhore. Gjeste të tilla shprehimisht ndalohen me ligj me qëllim të sigurimit të një gare fer dhe të paanshme gjatë zgjedhjeve.

Së dyti, që nga vitit 2009 Ivanov nuk ka të drejtë të falë vepra penale kundër shtetit, si që është vepra Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë së vendit. Ligji për ndryshimin e Ligjit për falje përcaktoi disa vepra të cilat presidenti nuk mund t’i falë. Megjithëse në mars 2016 Gjykata Kushtetuese i shpalli kundërkushtetuese ndryshimet e vitit 2009, këto dispozita ligjore nuk u kthyen asnjëherë në fuqi, sepse Kuvendi asnjëherë nuk votoi ndryshime të reja për Ligjin për falje të cilat do të mundësonin faljen e të gjitha veprave penale duke përfshirë këtu edhe ato që kryhen kundër shtetit.

Por arsyeja kryesore që juridikisht pamundëson dhënien e faljeve në këtë mënyrë është se neni 11, në bazë të të cilit Presidenti kishte mundësinë për të dhënë falje pa procedurë paraprake, nuk ekziston që nga viti 2009 kur i njejti është fshirë me Ligjin për ndryshimin e ligjit për falje. Pasi ky nen është fshirë që para 10 vjetësh dhe i njëjti nuk është risjellur në fuqi më vonë, ai vazhdon të jetë ineksistent, ndërsa çdo falje e bazuar në këtë nen rezulton të jetë juridikisht e pavlefshme. Po aq e pavlefshme dhe nule sa edhe faljet e viti 2016.

Të gjitha procedurat për falje duhet të kalojnë tani përmes Ministrisë së Drejtësisë. Nuk ekziston mundësi juridike që Presidenti të falë pa procedurë paraprake dhe në bazë të bindjeve të tija personale. Por kjo mundësi nuk ka ekzistuar as në 2016 dhe faljet megjithatë janë dhënë. Bile në atë kohë u krijua edhe mundësi ligjore absurde që faljet e dhëna në këtë mënyrë të tërhiqen përmes atij neni qesharak 11A i cili u shtua si mbindërtim i një neni që nuk ekzistonte më. Si që thashë më lartë, sot ende i vuajmë pasojat e veprimeve tërësisht kundërligjore të institucioneve shtetërore të ndërmara në vitin 2016. Të mos harrojmë që ka edhe një vendim të Gjykatës Supreme në Athinë i cili u referohet faljeve të vitit 2016 dhe i cili nuk merret fare me vlefshmërinë e faljeve por merret me vlefshmërinë e tërheqjes së faljeve sipas një ligji të sjellur pasi faljet janë dhënë e i cili supozohej të ketë veprim retroaktiv. Deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë intepretim autentik të Kuvendit i cili do të qartësonte se neni 11 i Ligjit për falje nuk ekziston. Kuvendi me sjelljen e nenit 11A në vitin 2016 faktikisht e pranon ekzistimin e nenit 11 sepse krijon vazhdimësi juridike mes këtyre dy neneve.

Prandaj nuk është aspak e çuditshme që Ivanov ta shfrytëzojë edhe një herë këtë vazhdimësi dhe të bëjë aktin e fundit “heroik” përpara se të shkojë në pension dhe të vazhdojë të kënaqet me privilegjet presidenciale deri në fund të jetës së tij, si presdient “shembullor” që ka qenë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button