Kosovë, është vënë gurthemeli i muzeut të gjenocidit “Bllaca 99”

Në Bllacë të Hanit të Elezit është vënë gurthemeli i Muzeut “Bllaca 99”, muze i gjenocidit serb në Kosovë për të cilin kryeministri Ramush Haradinaj tha se duhet të jetë Muze Botëror dhe i gjithkohshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, muzeu do të shërbejë në kujtim dhe nderim të të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve të Kosovës.

“Në respekt dhe përkujtim të vuajtjeve, por edhe rezistencës së refugjatëve kosovarë, po e ngremë këtë Qendër Përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, ‘Bllaca 99’, shtëpi që flet më zërin e ndërgjegjes, kundër harresës. Ky duhet të jetë një Muze Botëror, i gjithkohëshëm, që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut. Jemi sot këtu për respekt të rezistencës dhe vuajtjes së 440 mijë shqiptarëve që kanë kaluan nëpër Kampin e Bllacës, nga mbi një milionë gra e burra, fëmijë e pleq që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës”, tha Haradinaj.

Kjo kujtesë, siç tha kryeministri, duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njeri, përfshirë fqinjët serbë, në mënyrë që të mos trazohen plagët ende të freskëta të shqiptarëve dhe t’i respektojnë vuajtjet e shqiptarëve.

“Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre. Ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet”, tha më tej Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj falënderoi shqiptarët kudo që janë, për, siç tha, bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtën gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara.

Pjesëmarrës në ceremoninë e vënies së gurthemelit të muzeut ishin edhe kryetari Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i cili tha se nuk duhet të harrohet treni që transportoi refugjatët, si dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.

Po ashtu, sot në Bllacë është hapur ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi, ndërsa është mbajtur edhe mitingu i poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën, janë mbjellë 99 fidane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button