Dialogu Kosovë-Serbi, Thaçi e Vuçiç do të takohen më 29 prill në Berlin

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, do të takohen më 29 prill në Berlin, me ftesë të Gjermanisë dhe Francës, përcjell Top Channel. 

Njoftimi u konfirmua të mërkurën nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se është ftuar në Berlin bashkë me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç dhe aty janë ftuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ky do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë që pas pezullimit tyë bisedimeve në vjeshtën e vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzoi vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, por qeveria e Kosovës refuzoi edhe trysninë e Bashkimit Evropian për heqjen e tyre dhe atë amerikane për pezullimin e tyre.

Në Prishtinë, zyrat e udhëheqësve politikë konfirmuan që janë ftuar në Berlin, por nuk komentuan pritjet e tyre, ndërsa presidenti serb tha se nuk pret asgjë nga takimi i 29 prillit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës me të cilët diskutoi pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri që do të mbahen më 19 maj.

Pas këtyre diskutimeve përfaqësuesit e serbëve thanë se do të marrin pjesë në zgjedhje për të mos lejuar që partitë shqiptare të marrin pushtetin në atë zonë.

Të hënën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë komunash në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të banuara me shumicë serbe.

Të katër komunat janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe./VOA

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button