Ministri Lleshaj për grabitjen në aeroport: Nuk kanë funksionuar mekanizmat e sigurisë

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, lidhur me grabitjen e kryer dje në Aeroportin “Nënë Tereza”, ka deklaruar se nuk kanë funksionuar mekanizmat e sigurisë që janë nën përgjegjësinë e kompanisë koncensionare të aeroportit, raporton Anadolu Agency (AA).

Lleshaj, në një deklaratë për mediat ka theksuar se kompania kineze që ka koncesionin e Aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike.

“Koncesionari dhe kontraktori i zgjedhur prej tij, që përgjigjet për sigurinë fizike të aeroportit, nuk kanë arritur të zbatojnë standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil (ICAO). Sa i përket dinamikës së ngjarjes më duhet të them se reagimi i shpejtë, profesional, i përpjesshëm dhe i vendosur i Policisë së Shtetit ka sjellë si rezultat që autorët e këtij sulmi të rëndë të lënë në dorë të ekipeve të hetimit prova të shumta materiale, të cilat po i nënshtrohen procedurave përkatëse”, është shprehur Lleshaj.

Ai deklaroi se do të merren masa të reja që do të garantojnë një nivel tjetër sigurie, sipas tij, në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.

“Të nisur nga incidenti i rëndë i ditës së djeshme dhe në vlerësim të të gjithë marrëdhënies së vështirë me shoqërinë koncesionare, që është zhvilluar pas ngjarjes së datës 30.06.2016, kur siguria e aeroportit u cenua në mënyrë të ngjashme me ditën e djeshme, autoritetet shtetërore shqiptare do të marrin masa ligjore të shpejta dhe të forta për të garantuar pa asnjë mëdyshje të gjitha parametrat dhe standardet e nevojshme të sigurisë në Aeroportin e Rinasit”, ka deklaruar më tej ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Një person mbeti i vdekur pas grabitjes të ndodhur dje në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë disa persona me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi parash në pistën e avionëve.

Gjatë ndjekjes autorët e grabitjes kanë shkëmbyer zjarr me policinë, ndërsa gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button