Rusia, sinjal për prodhimin e përbashkët të helikopterëve me Turqinë

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Helikopterët Rusë (Russian Helicopters), Andrey Boginskiy, pjesë e kompanisë shtetërore ruse të mbrojtjes Rosteh, tha se Turqia ka përvojë të suksesshme në prodhimin e helikopterëve luftarakë.

“Mund të prodhojmë helikopterë rusë duke përdorur pjesët (për helikopter) të prodhuara në Turqi. Si Rusi ne e shohim brenda mundësive edhe prodhimin e përbashkët të helikopterëve”, tha ai.

Boginskiy, i cili zhvilloi një takim edhe me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan gjatë vizitës së tij në Moskë, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) ka folur në lidhje me prodhimin e helikopterëve mes Rusisë dhe Turqisë.

Ai thotë se javën e kaluar gjatë një vizite në Turqi ka zhvilluar një sërë takimesh. “Sa i përket helikopterëve civilë jemi ulur në tryezë me klientë potencialë në lidhje me blerjen dhe mirëmbajtjen e helikopterëve rusë”, thekson Boginskiy.

Vitin e kaluar u nënshkrua për herë të parë një marrëveshje për eksportimin e helikopterëve multifunksionalë Ka-32 në Turqi, rikujtoi Boginskiy, duke shtuar se “Qëllimi kryesor i këtyre helikopterëve është lufta kundër zjarrit. Unë mendoj se vetëm 3 prej këtyre helikopterëve, nuk janë të mjaftueshëm për gjeografinë e Turqisë dhe këtë nuk e them vetëm sepse këto helikopterë i prodhojmë ne”.

Sipas tij, në Korenë e Jugut e cila gjeografikisht nga Turqia është një vend shumë më i vogël ndodhen pothuajse 50 helikopterë të ngjashëm. “Këtë zonë, ne e shohim si një zonë të përshtatshme për t’u zhvilluar. Ne shpresojmë që pajisjet tona në veçanti mund të tregojnë përsosmërinë e tyre në zjarret e pyjeve dhe në zjarret e pakontrollueshme”, tha Boginskiy.

“Për të rritur bashkëpunimin tonë ne kemi nevojë për mbështetjen e institucioneve si Qendra e Eksportit të Rusisë dhe kompanive lizingut. Ne jemi konsultuar për këtë çështje gjatë 2 ditëve në vizitën time në Turqi”, tha Boginskiy i cili ka njoftuar se tregun turk e shohin si një prej tregjeve “që premton më shumë”.

– “Ne kemi lloje të ndryshme të helikopterëve dhe ne jemi të hapur për të gjitha llojet e ofertave”

Në vlerësimin e tij në lidhje me prodhimin e përbashkët të helikopterëve mes Turqisë dhe Rusisë, Boginskiy tha se “Ne e dimë se Turqia ka përvojë të suksesshme në prodhimin e helikopterëve luftarakë. Ne e shohim këtë si një potencial që mund të përhapet edhe në fushën civile. Ne kemi lloje të ndryshme të helikopterëve në varësi të objektivit, prandaj jemi të hapur për të gjitha llojet e ofertave”.

Në vijim ai tha se e shohin si pozitive përdorimin e pjesëve për helikopterë të prodhuar në Turqi.

“Industria Ajrore dhe Hapësirës Turke (TUSAŞ/TAI), prodhon pjesë të ndryshme. Ne mund të përdorim këto pjesë në Rusi ose të marrim disa produkte të përfunduara për t’i certifikuar me partnerët tanë turq. Kështu, helikopterët rusë të prodhuar me pjesët turke mund t’i eksportojmë në tregjet e vendeve përreth Turqisë që kanë lidhje serioze ekonomike dhe tregtare. Si Rusi ne e shohim si një mundësi edhe prodhimin e përbashkët të helikopterit me Turqinë”.

– Potencial “të madh” tek helikopterët civilë

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë Russian Helicopters, Boginskiy potencon se “Në Turqi operojnë më shumë se 100 helikopterë civilë. Këtë e shohim si një mundësi. Për shembull, në Iran ka 4-5 herë më shumë helikopterë. Për këtë arsye Turqia ka një potencial të madh”.

“Turqia mund të blejë 50 deri në 70 helikopterë me një program të ri që mund të krijojë në pikën e kontrollit të zjarrit. Më shumë helikopterë zvogëlojnë dëmet e shkaktuara nga zjarret në pyje. Krahas kësaj, helikopterëve mund t’u vendosen edhe pajisje mjekësore të prodhuara në Turqi dhe kështu mund të shpëtohen edhe jetë”, tha Boginskiy duke bërë të ditur se Rusia, Turqia apo Greqia luftojnë me zjarret që janë vështirë për t’u kontrolluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button