Çka do të shihni ju, çka do të shihni….

Eh ta dini ju çka do të bëhet, – i tha Mili Colit, pastaj e piu një gllënjkë kafe në bahçen e kafenesë së lagjes, ku zhvillohen debatet politike, fetare e kulturore të burrave.  Njëri, nga të katërtit,  që ishte ulur në tavolinë, Moni, e shkundi cigaren dhe u kollit. Mili, që vazhdimisht i rrotullonte kokrrat e rruzareve, nuk e vazhdoi bisedën me Colin, po iu drejtua këtij që e shkundi cigaren:

– Më duket se pat pak ironi te kjo punë… tha Mili dhe shtoi: vela havle vela kuvete!

– Cila punë?

– Po kjo që e shkunde cigaren dhe u kollite në atë mënyrë.

– Në cilën mënyrë?…

– Lere, lere… – tha Mili… e bëri: vela havle vela kuvete.

Ai që e shkundi cigaren, Moni, e shkundi për së dyti. Dhe heshti. Coli, që ishte më plaku në atë ndenjë kafeneje,  iu drejtua Milit:

– Hë, or Milo… Lere Monin, po vazhdo ku e pate fjalën.
– Unë thashë… deshi të flasë Mili, po në atë moment Moni përsëri e shkundi cigaren, duke i rënë tri herë me gishtin tregues përsipër.

– Fol, o Milo, çka do të bëhet? – pyeti Coli.

– Ti përsëri me atë cigare! – ndërhyri Mili duke e shikuar Monin.

– O Milo!… e ngriti zërin Coli. Pastaj iu drejtua Monit: – Lere o Mon atë djegsh cigare. Ta dëgjojmë Milon. Hë, Milo, çka do të bëhet?

– Eh, çka do të bëhet, çka do të bëhet… përsëriti Mili.

Kur i tha këto dy fjali Mili, cigaren e shkundi i katërti, Lata. Edhe ky i ra tri herë me gishtin tregues. Nuk e bëri pa qëllim Lata. Mili edhe kësaj radhe bëri vela havle vela kuvete.

– Ku na mbet muhabeti o Milo? Çka do të bëhet? – insistoi Coli.

– O Col, unë e di se ku duan të dalin këta me këtë cigaren… Larg rrahin këta me atë të shkundur të cigares. Vela havle vela kuvete.

– Po Lata nuk u koll, – shtoi Coli. Nuk e kuptoj se pse nuk e thua se çka do të bëhet.

– Çka do të bëhet, çka do të bëhet… përsëriti Mili.

– Po ç’tha në fillim Mili, o Col? pyeti i katëri, Lata. dhe shtoi: – Se po e përshëndetja hoxhën që kaloi e s’e dëgjova.
Coli tha se Mili vetëm i ka përsëritur këto fjalë: “Çka do të bëhet, çka do të bëhet”…

Atëherë Lata tha:

– Ju a nuk e shihni se Milit i pengon kur e shkundni cigaren ashtu. Pastaj, mendoj unë, t’ja kthejmë kahen muhabetit. A nuk e shihni se tema që ia keni propozuar për muhabet Milit nuk i pëlqen. Nejse ta lëmë atë. Unë desha ta pyes Milin si ka kaluar vjet në haxhillëk. Kam dëgjuar se ka kaluar shumë mirë. Kjo është temë e mirë se ndoshta edhe ne shkojmë sivjet në haxhillëk. Le të na njoftojë Mili. O Milo, kallëzoju, vëlla, këtyre burrave se çka ke pa në haxhillëk.

– Eh, çka kam parë unë, çka kam parë…

Atëherë Coli desh pëlciti. E ndezi edhe ai një cigare, ndonëse nuk e pinte duhanin. Pastaj e shkundi në taketuke duke i rënë tri herë me gishtin tregues përsipër.

– O Milo, trego me emën çdo gjë që ke parë atje, – i tha Coli.

– Çka kam parë unë, çka kam parë… përsëriti Mili duke i rrotulluar kokrrat e rruzareve.

– Po, hajt, na trego se çka do të shohim ne në atë haxhillëk kur të shkojmë… Na trego o Milo, – i tha Lata.

Tash Coli, Moni e Lata u  bënë sy e vesh dhe prisnin që Mili t’ia shkrepë e të tregojë diçka. Fol o Milo! e përsëriti Lata:

– Çka do të shihni ju, çka do të shihni… – tha Mili dhe e piu me një fërrrr të fortë gllënjkën e kafesë me dorën e djathtë, kurse me të majtën i rrotullonte vazhdimisht kokrrat e rruzareve.

– A shkojmë bre burra? pyeti Moni i cili gjatë gjithë kohës kishte heshtur.

– Shkojmë! – tha Mili dhe u ngrit i pari. – Po mos harroni t’i paguani kafetë shtoi duke i rrotulluar kokrrat e rruzareve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button