“Sekretarja e Sigurisë u detyrua të dorëhiqej”, Trump i pakënaqur me punën e saj

Duke cituar një person të afërt të saj, CNN thotë se Sekretarja e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Kirstjen Nielsen nuk e dha vullnetarisht dorëheqjen, por ka qenë nën një presion shumë të madh për ta bërë një gjë të tillë, transmeton Top Channel.

“As nuk luftoi, e as nuk u lut për postin e saj”, pohoj i njëjti burim.

Nielsen e mbante këtë detyrë prej 16 muajsh.

“Me gjithë përparimin në reformimin e Sigurisë Kombëtare për epokën e re, kam vendosur që është koha e duhur për t’u larguar”, shkruante ajo në letrën e dorëheqjes dërguar presidentit Trump, ku nuk sqaronte saktësisht përse po ikte.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e ka shprehur në më shumë se një rast zhgënjimin e tij me situatën përgjatë kufirit të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, ku janë drejtuar qindra e mijëra emigrantë në përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë dhe krimit në Amerikën Qendrore, me shpresë për të hyrë në SHBA.

Mbrëmjen e së dielës, ai e ritheksoi qëndrimin e tij me një seri komentesh në “Twitter”, ku përsëriste: Vendi ynë nuk mban më!

Trump, duket e qortonte shpesh Nielsenin për faktin që nuk po tregohej e rreptë sa duhet sipas tij, në frenimin e numrit të emigrantëve që tentonin hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Për CNN-in, ky largim dëshmon fuqinë e linjave të ashpra të emigracionit brenda Shtëpisë së Bardhë, ku përfshihet dhe këshilltari i lartë, Stephen Miller, apo ai i Sigurisë Kombëtare, John Bolton.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button