Ku fshihet zhvillimi i munguar?

Ne duhet të shohim më shpesh kronika dhe reportazhe të vjetra. Aty mund të vetëkqyremi paq, e të rikujtojmë se ku kemi qenë dhe se çfarë kemi qenë në të vërtetë.

Një Vend i ngjyer me një ngjyrë të kuqe sovjetike, i bunkerizuar dhe përditshmërisht në dramë dhe përditshmërisht në alarm. Një Vend dhe një popull i përfshirë në mënyrë të përhershme nga ankthi. Nga ankthi me emër dhe ankthi pa emër. Nga vëllavrasja dhe nga vrasja e çdo Bese në emër të një ideali që pakkush e kuptonte. Të varfër deri në kockë dhe me kocka reumatike dhe pa kalciumin e duhur. Të vendosur në transhe, në llogore, me pushkë druri apo me pushkë të vërteta ‘model 56’. Ku përballë kishim një armik që nuk u pa asnjëherë të zbarkojë, të mitralojë apo të bombardojë. Dhe e kuptuam dhe s’e kuptuam, se në llogoren përballë kishim vetveten, pjesën tjetër tonën, që quhej armiku i brendshëm apo tradhtari i Atdheut dhe i Partisë. Tradhtari ishte më së shumti, një dikush, qëkishtradhtuar nuk dihet se çfarë dhe nuk dihet përse. Dhe breza të tërë u ushqyen në mënyrën më shtazarake, me ndjesitë më shtazarake. Një alkimi perfekte, qëkishsi pikësynim të ndërtonte njeriun e ri shqiptar.

Dhe sot ne jemi një pjellë, ku urrejtja dominon dukshëm mbi dashurinë. Dhe kronika e përditshme e vrasjeve, e prerjeve, e pritave, e hakmarrjeve dhe jetëmarrjeve të shumta, rrëfejnë përmbledhtazi, se sa zift dhe se sa vrer kanë më së shumti shpirtrat tanë.

A thua se janë shpirtra të demonizuar dhe të mallkuar nuk dihet se nga çfarë. Sepse nuk ka polici në botë që mund të parandalojë krimin për një gardh apo për grindjet në parkim, apo krimet e shumta në familje.

Dhe erërat e nxehta të pasioneve të egra nuk kanë shterur ende.

Së shpejti afron një Fushatë e re Elektorale dhe hapen e do të hapen kësisoj, mijëra valvula, do të çlirohen nga shishja mijëra xhinde dhe do të zgjohen nga puset e shpirtrave, stuhi shpifjesh dhe përbaltjesh sistematike.

E gjitha kjo, për një grusht njerëzish, që duan të mbajnë në grusht ca pushtete dhe ca privilegje më shumë. Sepse një grusht tjetër njerëzish, duan, luftojnë apo kanë ambicie për të përfituar të njëjtat privilegje në grushtin e tyre.

E gjithë kjo krijon një tendosje dhe nxit ndarjen e re në llogore të vjetra, të shqiptarëve kundër shqiptarëve. Dhe zhvillimi i munguar, në përmasat që do të donim dhe në përmasat që do të mundnim, do të vonojë përsëri.

Jemi një shoqëri përgjithësisht dembele dhe meskine, adhurojmë forcën dhe përçmojmë padrejtësisht dhe në mënyrë vetëvrasëse, dialogun dhe arsyetimin. Kjo tanimë është e provuar.

Ca të pakët, nga politika apo nga biznesi, të pavarur por më së shumti instrumenta të tërthortë të shefave të politikës, jetojnë si të ishin sheikë, që flenë mbi puset e arit të zi dhe nuk dinë ç’të bëjnë me miliardat e tyre. Dhe rendin me neps, veç t’i shtojnë. Shpesh përtej të arsyeshmes, por mjerisht për ta dhe për ne, pa përmirësuar dot cilësinë e jetës së përgjithshme dhe të jetës së tyre.

Sepse cilësia e jetës është detyrimisht e ndërvarur nga çfarë të rrethon.

Çfarë ajri thith, çfarë shijesh percepton përreth teje dhe çfarë ushqimesh konsumon. Nëse biznesit të dikujt i intereson, të mos paguajë investimin për filtrimin e ajrit nga substancat kancerogjene që çlirohen nga ndërmarrja X, të njëjtin ajër do ta thithim të gjithë, pavarësisht milionave apo miliardave që ata mund të kenë në prona apo llogarinë e tyre bankare.

Nëse Ministri përkatës, lejon, kundrejt zarfave që kanë sistemin e tyre zinxhir, të qarkullojnë ushqimet e skaduara, me ngushëllimin se vetë i blen me paratë e tij të shumta, në një treg më të zgjedhur, prapë nuk ka shpëtuar. Mund të helmohet një ditë shoferi i tij, i cili në ditën më të bukur të Ministrit X, nën efektin e helmimit, aksidenton makinën ministrore, duke vrarë veten dhe kësisoj edhe Ministrin X.

Nëse ata, apo ne të pasurit, kemi nevojë për shërbyese në shtëpitë tona të mëdha, përherë e më të mëdha, apo na lipsen babysitter, mund të sëmurim fëmijët tanë me verdhëz (hepatit), apo sëmundje të tjera ngjitëse. Nëse këto sëmundje nuk luftohen për të gjithë.

Nëse pra shoqëria nuk është dot përgjithësisht e shëndoshë, sëmundja e saj është edhe sëmundja e të gjithëve. Edhe nga kjo askush nuk ka shpëtim. Bota është e gjitha një harlisje e pafund enësh komunikuese, një helm i hedhur diku, mbërrin mos sot apo nesër edhe në pjatën e gjellës tënde, kushdo qofsh dhe sado para e pushtet të kesh.

Pra nuk mund të jesh dot i pasur dhe proporcionalisht të kesh të njëjtën cilësi jete, nëse nuk kujdesesh që ajo çka të rrethon, popull, mjedis, ajër, ujë, ushqim, viruse, të jenë pjesë e habitatit që rrethon ‘kështjellën’ apo vilën tënde sado luksoze ajo qoftë.

Sepse instinkti primar i njeriut është mbijetesa, është të mbajturit e frymës gjallë e me çdo kusht. Dhe nëse një mbrëmje, mbasi ke gënjyer popullin, ke shtuar paratë dhe ke tradhtuar pa u kuptuar nga askush bashkëshorten, nuk është për t’u habitur, që një i çmendur, i çmendur nga dëshpërimi dhe varfëria, në një grindje, me armën që ti politikan ke lejuar të qarkullojë, plagos apo vret djalin tënd në një lokal nate. Duke përmbytur në një dëshpërim të pafund jetën tënde triumfaliste, që deri atëherë kujtoje se e kishe ndrequr për mrekulli.

Zoti e ka ndërtuar Botën në mënyrë harmonioze. Askush nuk mund të ketë shumë më shumë se gjithkush. Sepse Askush nuk mund të jetë kaq i sigurt në një botë të pasigurt!

Këtu çalon më së tepërti, shoqëria jonë e re kapitaliste. Kapitaliste dhe miope sa më s’ka. Këtu pra, roli esencial i Shtetit, i Shtetit që shpesh nuk është kërkund, bëhet parësor, ndonëse individi është qeliza bazë e kapitalizmit dhe e suksesit të tij.

Shteti si rregullator dhe si arbitër, është harmonizuesi i interesave të individit me ato të interesave të grupit. Pa një klasë politike që rrit progresivisht vetëdijen mbi këtë detyrë dhe detyrim, do të vazhdojmë të mbetemi ca qurravecë të pazhvilluar dhe ca rrëmujaxhinj ballkanikë, që të vrasim natën dhe të qajmë ditën.

Zhvillimi pra është aty pas dere, në pritje të kahershme dhe kërkon dialog. Kërkon Pozitën dhe Opozitën, pjesë konkurruese të së njëjtës skuadër shtetformuese.

Një Frymë e Re, e ka radhën të ngrejë krye, përtej dhe mbi urrejtjen e llogoreve.

Kafja dhe tryeza e punës, ndërmjet Berishës dhe Ramës përshembull, nuk duhet të përbëjë më një lajm të jashtëzakonshëm.

Në emër të Zhvillimit. Në emër të një ndjesie Ideale, në emër të një dhembshurie të munguar për një Vend me histori dhe të ardhme pandershmërisht të mohuar ndër shekuj.

Trokitja në një derë, qoftë kjo edhe e shurdhër, është kjo pra detyra e jonë. Në pritje të ca veshëve më të ndijshëm dhe ca zemrave më të ngrohta njerëzore të klasës sonë politike.

Burrimi: mapo.al

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button