Romëve në Kosovë u premtohen kushte më të mira të jetesës

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, krerët e institucioneve shtetërore në Kosovë premtuan shtimin e angazhimeve për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij komuniteti.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua të hënën me një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit rom dhe tha se ky komunitetet është “pasuri e Republikës së Kosovës”, transmeton REL.

“Ne jemi model i respektimit dhe integrimit të të gjitha komuniteteve në shoqëri dhe institucione”, shkroi Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi po ashtu në Facebook, tha se Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballet komuniteti rom, me qëllim që të krijohet “klimë sociale, politike dhe ligjore, ku të drejtat dhe kultura e romëve respektohen plotësisht e në çdo kohë”.

Kryeparlamentari Kadri Veseli priti po ashtu në takim një grup përfaqësuesish të këtij komuniteti, të kryesuar nga deputeti Albert Kinolli.

Veseli tha se “komunitetet pakicë janë një ndër pasuritë kryesore që ka shteti”, duke shtuar se “institucionet do të vazhdojnë angazhimet për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të rritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të vendit”.

Në Kosovë llogaritet se jetojnë rreth 40 mijë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Sipas Kushtetutës, pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që në mënyrë individuale ose si komunitet të shprehin, mbajnë dhe zhvillojnë kulturën e tyre dhe të ruajnë elementet thelbësore të identitetit të tyre, përkatësisht fenë, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button