Albin Kurti në Kumanovë: Tash ka mbetur të ndryshohet edhe emri i presidentit, nga Ivanov në Reka (VIDEO)

“Greqia nuk është më armik i jashtëm, sepse tashmë ndërroi emri i shtetit. Tash ka mbetur që të ndërrohet emri i presidentit, nga Gjorge Ivanov në Blerim Reka”, kështu ka bërë thirrje, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot në Kumanovë, që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit ta rrethojnë numrin 1 dhe të votojnë për kandidatin e pavarur, Blerim Reka, transmeton Portalb.mk.

Sipas Kurtit, vota më 21 prill është një vendim i rëndësishëm, por i lehtë, sepse sipas tij, Reka nuk duhet votuar vetëm për atë çfarë ai nuk është, por edhe për atë çfarë është.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në tubimin e kandidatit për president të RMV-së, Blerim Reka. Kumanovë
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në tubimin e kandidatit për president të RMV-së, Blerim Reka. Kumanovë

“Unë kam nderin dhe kënaqësinë që ndodhem këtu në mesin tuaj, para një zgjedhje të rëndësishme, por besoj të lehtë. Blerimi nuk është i korruptuar, por ju nuk duhet ta votoni atë vetëm për atë që nuk është, por për atë që është. Ju e njihni Blerimin shkupjan, intelektual e publicist. Edhe unë e njoh shumë mirë, por unë e njoh edhe më mirë edhe si këshilltar i Adem Demaçit. Të gjithë e dimë, që sipas regjistrimit të popullsisë, shqiptarët janë mbi çerekun e popullsisë, por numri i punësimeve shqiptare në ndërmarrje publike dhe administratën shtetërore është 90 për qind, kurse për pozita udhëheqëse ai bëhet i papërfillshëm. Nëse shqiptarët nuk do të kishin një kandidat shqiptar, kjo do të ishte mungesë vetërespekti. Mirëpo shyqyr e kemi profesorin Blerimin, kësmet president. E dimë se shifra 20 për qind në Marrëveshjen e Ohrit, është teksti më i shpeshtë, por nga pushtetet e mëhershme dhe nga pushteti i Gruevskit kjo bëhej si pretekst për të ulur shqiptarët kudo nën 20 për qind, e jo për t’ua rritur të drejtat e tyre edhe pse janë mbi 20 për qind”, tha Kurti.

Në tubimin që u mbajt sot në Kumanovë, Kurti ka folur për Marrëveshjen e Ohrit, të cilin e ka parë si një “ndryshim të vogël të Maqedonisë së Veriut nga brenda”, dhe në Marrëveshjen e Prespës të cilën e vlerësoi “si një ndryshim të madh nga jashtë”.

“Asnjëri kandidat tjetër për president nuk mund garantojë mbrojtje të Maqedonisë së Veriut nga veriu dhe verilindja, nga Vuçiqi e Putini, sikur këtë mund ta bëjë Reka”, tha Kurti.

Fjalim pas Kurtit kanë mbajtur edhe liderët e partive mbështetëse të Rekës, Lëvizja Besa – Bilall Kasami dhe Aleanca për Shqiptarët – Ziadin Sela.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button