Sindikati i Pavarur kërkon të rriten rrogat në sektorin publik për 25%

“Harmonizim të rrogave në sektorin publik në pajtueshmëri me përqindjen me të cilën është rritur rroga minimale, pagim të K15 në sektorin publik, por edhe heqje dorë nga ideja e transferimit të punëtorëve nga sektori publik në atë privat”, janë kërkesat e Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSL), të cilat dje nëpërmjet protestës në Kumanovë ia dërguan Qeverisë, njofton Portalb.mk.

Sipas kryetarit të KSL-së, Bllagoja Rallkovski, rroga minimale në vitin e fundit është rritur për 25% dhe ato kërkojnë që ajo përqindje të llogaritet edhe për rrogat sipas vertikales në sektorin publik, ku rroga mesatare është 19.000 denarë dhe është në kufi me të ardhurat sociale.

“Qeveria gjeti zgjidhje ligjore që t’ua rrit rrogat zv/kryeministrave dhe ministrave. Ne kërkojmë që në pajtueshmëri me ligjin të rriten edhe rrogat tona, për aq përqindje sa është rritur paga minimale, gjegjësisht për 25 përqind dhe ajo të vlejë nga 1.1.2019. Jemi dëshmitar se vitin e kaluar kemi pasur shumë punësime partiake dhe familjare, nëse ka vend edhe për ne në sektorin publik nuk do të lejojmë që neve të na largojnë nga puna. Sindikati ashpër e kundërshton përjashtimin e çdo anëtari tonë. Do të ketë para edhe për K15, nëse shkurtojnë pak nga harxhimet e tyre, le të tregojnë se janë punëdhënësi më i mirë në shtet, le të tregojnë shembull të tyre se si paguhet K15”, tha Rallkovski nga foltorja përpara anëtarëve, të cilët kishin ardhur nga të gjitha vendet e Maqedonisë në Kumanovë, transmeton SDK.

Ai vlerëson se gjithnjë e më shumë po shkelen të drejtat e punëtorëve në shtet, ndërkaq atë e ka konfirmuar edhe raporti i Komisionit Evropian.

Përpara të pranishmëve mbajti fjalim edhe kryetari i SASHK, Jakim Nedellkovski, i cili tha se Qeveria nuk i ka realizuar premtimet për rritjen e rrogave të të punësuarve në çerdhe nga fillimi i vitit, as nuk e ka kryer nivelizimin e rrogave në kulturë, ndërkaq është ndaluar edhe dialogu social me sindikatin.

Nga protesta është paralajmëruar se nëse nuk pranohen kërkesat e tyre, do të vazhdojnë me protesta masive në vend ose do të shpallin grevë të përgjithshme në sektorin publik, ndërkaq prej të hënës do të fillojnë edhe procedurat gjyqësore kundër institucioneve përkatëse që i kanë shkelur të drejtat për punëtorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button