Fushata filloi me jogë politikë dhe matematikë

Në fillim të fushatës për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut kuptohet se ka shumë politikë, por edhe shumë matematikë dhe … nga pak zbavitje.

Votuesit më 21 prill në raundin e parë do të zgjedhin midis tre kandidatëve Stevo Pendarovski – kandidat të cilin e mbështet partia në pushtet LSDM, Gordana Siljanovska – Davkova e cila deklarohet si kandidate e pavarur, por që e ka mbështetjen e partisë opozitare VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka nga Aleanca për shqiptarët, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Pasiguria, megjithatë, nuk është vetëm se cili kandidat do të fitojë, por edhe nëse do të plotësohet censusi i nevojshëm në raundin e dytë vendimtar të zgjedhjeve më 5 maj? Përkatësisht, (1) në listën zgjedhore ka të regjistruar 1,808,131 votues (censusi arrihet nëse votojnë 40%) e një pjesë e votuesve janë zhvendosur dhe punojnë jashtë vendit (2) Nuk është e qartë se si do të sillen votuesit shqiptarë në raundin e dytë, gjegjësisht a do të dalin ata për të votuar njërin nga “kandidatët maqedonas” sepse matematika është e qartë që “kandidati i tyre nuk do ta kalojë raundin e parë dhe (3) a nuk do ta bojkotojë opozita raundin e dytë nëse e sheh se po humb në raundin e parë dhe në atë mënyrë t’i rrënojë zgjedhjet.

Deri tani, Social Demokratët janë optimistë se jo vetëm do të fitojnë, por se do të plotësohet censusi i nevojshëm, ndërsa opozita me kujdes po shmang ta përmend “bojkotin” dhe po luan në fushën e patriotizmit.

Të dy kandidatët kanë mesazhe krejtësisht kontradiktore. Pendarovski thotë “bashkë përpara “, ndërsa Siljanovska – Davkova – kërkon “Drejtësi për Maqedoninë.”

Duket qartë se bëhet fjalë për qëndrime të qarta dhe se ato kanë të bëjnë kryesisht me faktin që vendi prej para do kohe ka emër të ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut. Për Pendarovskin kjo është shkas për të ftuar “bashkë përpara” – do të thotë të gjithë – maqedonasit, shqiptarët dhe të tjerët – të mos shikojnë mbrapa kah traumat nga ndryshimi i  emrit, por drejt BE-së dhe NATO-s.

Përkundër kësaj, Siljanovska – Davkova, luan në fushën e “Drejtësi për Maqedoninë” dhe “Atdheu thërret”, që gjithashtu ngjall asociacion  me “padrejtësinë” që kinse iu ka shkaktuar vendit për të ndryshuar emrin dhe se populli duhet të bashkohet rreth saj që ajo padrejtësi të rregullohet.

Deri më tani, Davkova, profesoreshë universitare dhe juriste nuk është e qartë në mënyrë eksplicite për atë se si mendon ta shfuqizojë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë. Ajo e përmendi opsionin për të shkuar në Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë dhe është e sigurt se ky narrativ po funksionon të një pjesë e mirë e qytetarë.

Davkova (Gordana) tregoi se do të drejtojë fushatë paksa jo konvencionale duke i befasuar të gjithë kur i ftoi për “Joga me Goga” në bregun e Liqenit të Ohrit.

Debati i parë televiziv i kandidatëve siç pritej u zhvillua rreth debatit për ndryshimin e emrit – a është dashur, a ka qenë e domosdoshme dhe çka dhe si të vazhdohet më tutje. Siljanovska – Davkova mbeti e vetme në qëndrimin se kjo është bërë me dhunë dhe në mënyrë jo kushtetuese dhe se i tërë procesi duhet të rishikohet e të rivendoset emri kushtetues.

Dy kundërshtarët e saj, në të kundërtën, mendojnë se ky është proces i pakthyeshëm, i cili i hap dyert e Republikës së Maqedonisë së Veriut “të re” drejt ardhmërisë dhe forcimit të stabilitetit të gjithë rajonit të Ballkanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button