Limaj nuk e di kur mund të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator të Kosovës për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj, ka thënë se nuk e di se kur do të vazhdojë ky dialog. “Siç e dini ju, problemi vazhdon të jetë kushtëzimi i Serbisë për taksën. Tashmë qëndrimi ynë është i qartë. Ne po punojmë tash si delegacion që të jemi të gatshëm kurdoherë. Bashkimi Evropian ka qenë shumë i interesuar që të vazhdojë dialogu, por problemi është Serbia, e cila i ka paraqitur kushtëzimet e veta”, ka thënë Limaj për Ekonomia Online.

Taksa e vendosur për mallrat e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës mund të mos jetë arsyeja e vetme e stagnimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Arsye për mosnisjen e dialogut po shihen edhe zgjedhjet e brendshme në Parlamentin Evropian”, ka thënë ai.

Megjithatë, Limaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që dialogu të rifillojë para përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në BE.

“Mund të ndodhë edhe përpara. Çështja e dialogut është një nga prioritetet e BE-së, prandaj dialogu Kosovë-Serbi mund të rifillojë në çdo kohë”, ka thënë Limaj.

Limaj ka folur edhe për platformën e dialogut, të përgatitur nga Ekipi Shtetëror i Kosovës. Ai e ka shprehur bindjen se të gjitha temat e ngritura nga Kosova do të shtrohen në Bruksel, duke theksuar se zgjidhja e tyre është e domosdoshme për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.

“Ne besojmë se pa adresimin e këtyre temave ne nuk mund të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë. Çështja e të pagjeturve nuk është temë alternative, çështja e viktimave të dhunës seksuale nuk është çështje dëshirash, është një fakt që do adresim, është një dhimbje e madhe që do adresim, çështja e krimeve të luftës nuk është temë alternative, janë me qindra masakra… Ju po e shihni, prej janarit e deri në qershor ne kemi çdo ditë përkujtime të masakrave që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato duan adresim. Vetëm adresimi i këtyre temave neve na ndihmon për të arritur një marrëveshje kuptimplotë”, ka thënë Limaj.

Por, ai ka pohuar se të dy palët mund të shfaqin pakënaqësi për temat e ngritura nga pala tjetër.

“Besoj që mund të ketë reagime, ashtu siç mund të ketë reagime edhe nga ana jonë për ndonjë temë që ngritet nga Serbia, por ne jemi aty për tema që janë në interes dhe besojmë që duhet të trajtohen nga Kosova”, ka thënë Limaj.

Limaj ka folur edhe për koalicionin qeverisës, të cilin e ka cilësuar si stabil.

“Ka këndvështrime të ndryshme, por besoj se ka kapacitet negociues brenda partnerëve të koalicionit për të arritur qëndrim të përbashkët, siç kemi pasur për vendosjen e taksës”, ka thënë ai.

Ai ka shprehur bindjen se Qeveria aktuale e Kosovës do të çojë deri në fund mandatin e saj.

“Qeveria mund të bie për mospunë dhepnrë mungesë të votave në parlament. Ju e dini se cila është rruga që shpie në rëndien e qeverisë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button