Greqi, refugjatët janë gënjyer nga një lajm i rremë në facebook

Mbi 500 emigrantë dhe refugjatë nga e gjithë Greqia po qëndrojnë për të tretën ditë me radhë pranë një kampi në Diavata, 10 km në perëndim të Selanikut, transmeton Top Channel.

Ata kanë mbërritur aty pas mesazheve të rreme në rrjetet sociale, që thoshin se do të hapej kufiri me Maqedoninë e Veriut në fshatin Eidomeni, e janë përpjekur të nisen për atje.

Por, ndërsa mëngjesin e kësaj të shtune situata paraqitet e qetë, gjatë ditës së premte, forca të policisë që ndodhen në zonë i kanë ndaluar ata të nisen drejt kufirit dhe ka pasur tensione e konfrontime mes tyre, edhe pse shumë prej emigrantëve kanë përdorur fëmijët si mburoja.

Ministrja greke e Mbrojtjes së Qytetarit ka ripërsëritur se, nuk ka asnjë mundësi të hapen kufijtë, duke iu bërë thirrje emigrantëve të kthehen në kampet ku ata qëndrojnë, në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil, apo të pajisjes me lejeqëndrimi.

Ndërkohë në Athinë, emigrantët që ishin mbledhur në stacionin e trenit të Larisës, duke vendosur edhe fëmijët në shinat e trenit, tashmë janë shpërndare duke parë se nuk do t’i lejonin të niseshin për në Selanik, e duke kuptuar se mesazhi i shpërndarë në rrjetet sociale ishte përfundimisht i rremë.

Policia greke po bën hetime për të gjetur shpërndarësit e mesazheve në gjuhën arabe, që konsiderohen të qëllimshme për të shkaktuar trazira në vend.

Deri tani është zbuluar përmbajtja e mesazhit dhe krijimi i një grupi në Facebook me 2.800 emigrantë, të cilëve iu bëhet thirrje që të mos presin më pas 3 vitesh në Greqinë e krizës dhe papunësisë, por të organizohen e të nisen së bashku drejt Europës Qendore, sapo të hapen kufijtë.

LEXO: Emigrantët në Greqi në mënyrë ilegale janë përpjekur të kalojnë në Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button