Putin dhe Erdoğan në Moskë do të diskutojnë dorëzimin e sistemit S-400

Dorëzimi i sistemit raketor të mbrojtës S-400 nga Rusia për Turqinë mund të jetë pjesë e agjendës në takimin e liderëve të dy shteteve, tha Yury Ushakov, ndihmësi i presidentit rus, raporton Anadolu Agency (AA).

Tërheqja e planifikuar e trupave amerikane nga Siria gjithashtu do të jetë çështje e mundshme e diskutimit gjatë takimit të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan me presidentin rus Vladimir Putin, të caktuar për më 8 prill, njoftoi Ushakov.

“Do të diskutohen planet amerikane për tërheqje të pjesshme të trupave të tyre nga Siria. Çështja tjetër është zbatimi i projektit të nivelit të lartë, kontratës për furnizim me sistemin më të ri rus për mbrojtje ajrore S-400 për Forcat e Armatosura të Turqisë”, tha Ushakov

Ai gjithashtu tha se dy presidentët do të mbajnë bisedime të plota në takime të nivelit të lartë të Këshillit Koordinues Rusi-Turqi, si dhe me afaristë turq që operojnë në Rusi.

Ai theksoi se takime kokë-më-kokë mes presidentëve Erdoğan dhe Putin do të zhvillohen për “të diskutuar çështjet më të ndjeshme”.

Dy presidentët më pas do të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të vitit ndërkulturor të Turqisë dhe Rusisë në teatrin Bolshoi në Moskë.

Turqia në vitin 2017 vendosi që të blejë sistemin S-400 pasi përpjekjet e stërzgjatura për të blerë sistemin mbrojtës Patriot nga SHBA-të përfunduan pa sukses.

SHBA të hënën njoftoi se do të suspendojë të gjitha “dërgesat dhe aktivitetet” që ndërlidhen me kërkesat turke për avionin luftarak F-35 të zhvilluar bashkërisht, shkaku i planeve të Ankarasë për të blerë sistemin rus.

Ushtruesi i detyrës sekretar i Mbrojtjes Patrick Shanahan të enjten tha se pret që Ankaraja dhe Washingtoni të mund të tejkalojnë dallimet.

Turqia fillimisht iu bashkua programit për avionin F-35 në vitin 2002 dhe ka investuar më shumë se 1,25 miliardë dollarë. Turqia gjithashtu prodhon pjesë të ndryshme të avionit për të gjitha llojet dhe konsumatorët e F-35.

Dy avionët F-35 që i janë dorëzuar Turqisë aktualisht ndodhen në bazën ajrore Luke në Arizona të SHBA-së, ku pilotët turq po stërviten për t’i përdorur. Avionët duhet t’i transferohen Turqisë në nëntor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button