Regjimi i Asadit ka përdorur 216 herë armë kimike

Kanë kaluar dy vjet që kur regjimi i Bashar Asadit në Siri vrau mbi 100 civilë me gaz sarin në rajonin Han Shejhun dhe një vit nga masakra e Dumas me të njëjtën armë, e cila shkaktoi vdekjen e 78 civilëve. Edhe pse komuniteti ndërkombëtar e ka hedhur përgjegjësinë mbi regjimin, ende nuk është kryer proces gjyqësor, shkruan Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, regjimi përdori 216 herë armë kimike në një periudhë prej mbi tetë vitesh.

Sulmin më të madh me armë kimike regjimi e kreu më 21 gusht të vitit 2013, kur mbi 1.400 civilë u vranë me armë kimike në Gutën Lindore, duke tërhequr reagimet e komunitetit ndërkombëtar.

Megjithëse presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama kishte deklaruar si përdorimi i armëve kimike në Siri është vija e kuqe, SHBA dhe Rusia u pajtuan me një kompromis alternativ.

Përdorimi i armëve kimike nga ana e regjimit të Asadit duhej të përfundonte më 19 gusht të vitit 2014 përmes një procesi që iu la në pëgjegjësi Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW).

Burimet lokale, prej të cilave AA furnizohej me informata, kishin njoftuar se regjimi ka vazhduar sulmet me gazra kimikë helmues edhe pas kësaj date.

Ky fakt u dëshmua me katastrofën e 4 prillit të vitit 2017 në Han Shejhun, kur mbi 100 civilë humbën jetën dhe mbi 500 të tjerë u prekën nga gazi.

Regjimi dhe aleatët e tij pretenduan se sulmi është kryer nga opozitarët ndërsa pika e goditur ka qenë nje depo armësh.

Megjithatë, ekipi i AA-së që shkoi në Han Shejhun më 5 prill, përmes xhirimeve tregoi se në rajon nuk ndodhej asnjë depo armësh ose pikë ushtarake dhe se në vendin ku kishte rënë bomba gjendeshin vetëm silosë drithërash.

Tre ditë pas sulmit, më 7 prill, SHBA kreu një intervenim të kufizuar duke qëlluar me raketa bazën ajrore Shajrat.

Më 19 prill, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike konfirmoi se sulmi është kryer me gaz sarin, duke u bazuar në analizat e gjakut dhe mostrave të urinës.

Në qershor të vitit 2017, AA i dorëzoi Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, OKB-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) një dosje me pamjet dhe dëshmitë e dëshmitarëve të sulmit kimik.

Misioni i përbashkët i OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, i njohur si Mekanizmi i Përbashkët Hetimor (JIM), më 27 tetor të vitit 2017 i paraqiti Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së një raport, sipas të cilit regjimi mban përgjegjësinë për masakrën me armë kimike në Han Shejhun.

Megjithatë, në seancën e 16 nëntorit të vitit 2017, Rusia vendosi veto mbi rezolutën e KS-OKB-së e cila parashihte zgjatjen e mandatit të JIM-it. Në këtë mënyrë, mekanizmi më 17 nëntor të vitit 2017 mbeti i detyruar t’i ndërpresë ekzaminimet.

Ndaj regjimit të Asadit ende nuk është zbatuar ndojë sanksion, pasi vendimi i JIM-it nuk ka mjaftuar për gjykimin e përgjegjësve të masakrës në GJNP.

– Rruga e GJNP-së e bllokuar

Pas Han Shejhunit, regjimi përdori armë kimike edhe 14 herë të tjera, i fundit prej të cilave ndodhi më 7 prill të vitit 2018 në Duma të Damaskut, ku si pasojë 78 civilë humbën jetën.

Më 1 mars 2019, OPCW konfirmoi përdorimin e armëve kimike në këtë sulm. Edhe pse organizata mori kompetencat për hetimin e përdorimit të armëve kimike më 27 qershor, ekipi hetues ishte dërguar në Duma para këtij vendimi.

Pas sulmit kimik në Duma, forcat e regjimit shkaktuan evakuim të detyruar të rajonit, duke e marrë kontrollin mbi të. Han Shejhun, i kontrolluar nga opozita ushtarake dhe grupet e armatosura kundër regjimit, ende ngelet në shënjestër të sulmeve të regjimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button