Ministri Filipçe paralajmëroi risi në sistemin shëndetësor

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, paralajmëroi risi në sistemin shëndetësor, siç tha ai, për të patur përfshirje sa më të madhe të shërbimeve shëndetësore në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Filipçe tha se janë ndërmarrë disa masa në këtë drejtim, duke theksuar se është i vetëdijshëm që në shumë vende ka mungesa, para së gjithash të mjekëve amë, gjinekologëve dhe pediatërve.

Ai sqaroi se planifikohet ndryshim i ligjit, pas çka do t’u mundësohet mjekëve që punojnë në spitale të shërbejnë edhe si mjekë amë, duke shtuar se gjithashtu planifikojnë bashkëpunim më të madh me sektorin privat.

“Risitë më të mëdha që i planifikojmë janë në kuptim të financimit të një pjese të shërbimeve shëndetësore, në kuptim të zbatimit të modeleve të shëndetësisë me partneritet publiko-privat, lejimin e kapitalit privat që të inkuadrohet si investitor në sistemin tonë shëndetësor, me qëllim që të lirohemi nga shpenzimet e panevojshme”, tha Filipçe.

Sipas tij, qëllimi i risive është shfrytëzimi i kapaciteteve që ekzistojnë në institucionet shëndetësore private, për të mundësuar shërbime më të lira dhe më cilësore për pacientët.

Këto deklarata, ministri i Shëndetësisë i bëri në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë – 7 Prillit, që tradicionalisht organizohet nga Shoqata e Mjekëve në Maqedoninë e Veriut.

Kryetari Goran Dimitrov, tha se Shoqata e Mjekëve në Maqedoninë e Veriut, është organizatë profesionale që ekziston që nga viti 1945, ndërsa ka për mision që në vazhdimësi të përmirësojë cilësinë e shërbimeve shëndetësore, të përmirësojë praktikat mjekësore, të vendos standarde të larta etike dhe të mbrojë dinjitetin e profesionit.

“Ne gjatë ekzistimit tonë gjithmonë kemi bërë përpjekje për këto çështje të cilat i kemi në statut. Shpresojmë që nga viti i ardhshëm gjërat do të jenë më mirë, ndërsa në ujdi të përgjithshme të mjekëve, është rritja e kompensimit financiar për kujdestaritë është një hap i madh para”, tha Dimitrov.

Në event, përpos ministrit Filipçe, të pranishëm ishin përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, anëtarë të asociacioneve të mjekëve nga Maqedonia e Veriut dhe nga vendet e rajonit.

Shoqata e Mjekëve në Maqedoninë e Veriut sivjet shënoi Ditën Botërore të Shëndetësisë nën moton “Shëndet për të gjithë, shëndet gjithkund”, ndërsa në fund të eventit u ndanë disa mirënjohje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button