Kanabisi i shitur në rrugë përmban fekale dhe mund të jetë fatal

Shumica e kanabisit që shitet në rrugët e Madridit është e kontaminuar me nivele të larta të përmbajtjes fekale, ka treguar një studim i fundit.

Gjurmë të bakterit E.coli dhe të kërpudhave Aspergillus janë gjetur nga analistët që kanë ekzaminuar 90 mostra të blera në dhe përreth kryeqytetit spanjoll, raporton BBC, përcjell Koha.net. 

Mostrat që ishin të mbështjella në enë plastike ishin ato me rezultatet më të këqija, me gjasë për shkak të mënyrës se si kontrabandohen në vend.

Rreth 40% për qind e tyre kishin edhe aromën e fekaleve, ka thënë kryeautori i studimit.

Blerja, shitja dhe importimi i kanabisit është i kundërligjshëm në Spanjë, siç është edhe përdorimi i tij në publik – megjithatë teknikisht është ligjore të rrisësh atë për përdorim personal, nëse nuk është i dukshëm publikisht dhe konsumohet privatisht, transmeton Koha.net.

José Manuel Moreno Pérez, farmakolog nga Universidad Complutense në Madrid, mblodhi mostra të kanabisit drejtpërsëdrejti nga dilerët e rrugës, si në qytet ashtu edhe në periferi, për të përcaktuar nëse droga e shitur është e përshtatshme për konsum nga njerëzit.

Studimi, që për bashkautorë kishte Pilar Pérez-Lloret, Juncal González-Soriano dhe Inmaculada Santos Álvarez, është publikuar në revistën “Forensic Science International”.

Ata gjetën se 93% njërit lloj të mostrave përmbante nivele të rrezikshme të bakterit E.coli, sikurse edhe 29.4% të llojit tjetër të mostrave.

Rreth 10% për qind e mostrave të kanabisit ishin të kontaminuara edhe me Aspergillus, një kërpudhë e rrezikshme që mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.

Shumica prej mostrave të testuara – 88.3% – nuk ishin të përshtatshme për konsum.

Pérez më vonë sqaroi kontaminimin – dhe aromën – për gazetën spanjolle “El País”.

Njëri lloj i mostrave, ai i mbështjellë në enë të vogël plastike, me gjasë ishin të kontaminuara për shkak të mënyrës se si janë sjellë në vend – kanabisi mbështillet në pilula të vogla plastike dhe përpihet para se pastaj kontrabanduesit e drogës “përdorin laksativ dhe i nxjerrin jashtë” në tualet. Ato më pas shiten nga dilerët.

Sipas studimit, rreziqet e ndërlidhura me E.coli dhe Aspergillus janë mjaftueshëm serioze për të shpallur shitjen ilegale të drogës “çështje të shëndetësisë publike”, transmeton Koha.net.

Infeksioni E.coli, për shembull, mund të shkaktojë diarre, të vjella, dhimbje stomaku, ethe dhe gjak në jashtëqitje – dhe tek disa njerëz kjo edhe mund të shkaktojë probleme edhe më të mëdha.

Ndërsa, thithja e mykut të Aspergillusit mund të shkaktojë probleme serioze për njerëzit që veçse kanë probleme me mushkri, siç është astma dhe fibroza cistike, apo tek njerëzit që kanë imunitet të dobët.

Studimi thotë se kjo është veçanërisht e rrezikshme për pacientët me kancer, të cilët ndonjëherë konsumojnë kanabis për të ndihmuar simptomave të hemoterapisë.

“Këta pacientë kanë sistem më të dobësuar imunitar, që do të thotë se infeksioni i shkaktuar nga konsumimi i hashashit të kontaminuar dhe falsifikuar mund të jetë fatal”, ka potencuar studimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button