Drejtësi për Maqedoninë

Filloi kampanja parazgjedhore për Zgjedhjet Presidenciale 2019. Ka tri kandidatë për postin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Post ky tmerrësisht i keqpërdorur dhe abuzuar gjatë dhjetë viteve të fundit nga një person që veçanërisht në mandatin e dytë të tij nuk la ligj e as nen të Kushtetutës pa e shkelur. Dhe ajo që është me rëndësi, ai asnjëherë nuk u përgjigj për asnjërën nga këto shkelje. U hap procedurë për të vedosur përgjegjësi penale ndaj tij por asnjëherë nuk u arrit ajo shumicë e kualifikuar prej 2/3 të deputetëve që do t’ia hiqte imunitetin dhe do të mundësonte që ligji të vlejë edhe për atë. Dhe ja, tani mandati i tij mbaron në mënyrë të rregullt ndërsa ai do të vazhdojë të marrë pensionin presidencial sikur të ketë qeneë presidenti më shembullor i këtij vendi. As për faktin që e solli shtetin në buzë të luftës qytetare nuk do të përgjigjet asnjëherë. Ai nuk është përfshirë as si njëri ndër pesë personat të cilët dyshohen të kenë qenë organizatorët kryesorë të ngjarjeve të 27 Prillit 2017 edhe pse me vetë faktin që në mënyrë kundërkushtetuese nuk e dha mandatin për krijimin e qeverisë së re, ai në mënyrë direkte kontribuoi të ndodhnin ato trazira të asaj të enjtjeje të përgjakshme.

Njëra nga këta tre kandidatët e tashëm për president nuk e pranon fare emrin Maqedona e Veriut. Prandaj edhe parollën e vetë kryesore për këto zgjedhje e ka formuluar “Drejtësi për Maqedoninë”. Drejtësi për këtë shtet do kërkojë Gordana Siljanovska Davkova si kandidate e VMRO-DPMNEsë. Kjo është ironia më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Drejtësi do kërkojë, e përkrahur me ngulm nga ata që para më pak se dy vitesh kryen vepër penale rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe i sigurisë së shtetit – së po atij shteti që ajo nuk pranon ta quajë me emrin e ri kushtetues.

Më intereson si mendon ta arrijë këtë drejtësi kjo kandidate. Duke përkrahur opsionet e partisë që e nominoi atë në këtë garë? Ato opsione tani më janë të njohura. Deri sa ishte në pushtet VMRO-DPNE Prokuroria Speciale Publike ishte institucioni më i sabotuar shtetëror, kulmin e të cilit sabotim e arritën faljet e famshme të presidentit të tanishëm që do të pensionohet si president shembullor dhe do t’i shfrytëzojë të gjitha privilegjet presidenciale deri në fund të jetës. Pasi kjo parti ra nga pushteti, PSP u karakterizua nga po ajo parti si institucion që ekzekuton persekutim politik ndaj anëtarëve të saj, të cilët befas u shndëruan në të persekutuar politikë, aktivistë për të drejtat e njeriut, ndërsa kreu i tyre me po këto arsyetime arriti të marë edhe azil politik nga homologu i tij Orban. Kjo është drejtësia që kërkon Siljanovska Davkova? Kur u arrestua Stevçe Jakimovski ajo kundërshtoi këtë arrest duke përkrahur edhe një herë idenë për mungesë të ligjit dhe llogaridhënies. Ndërsa për sabotimin e Ligjit të ri të prokurorisë publike që duhet ta zgjidhë statusin juridik të PSP pikërisht partia që e ka nominuar këtë kandidate bën edhe tani sabotimin më të madh që ky ligj të mos kalojë, duke e ditur shumë mirë që pikërisht ky ligj është vendimtar lidhur me atë se a do të marrim datë për hapjen e negociatave për aderim në UE ose jo. Drejtësia nuk është vetëm fjalë që duket bukur në një bilbord të ndriçuar. Drejtësia nuk është vetëm deklaratë se Kushtetuta dhe ligjet duhet të respektohen në përpikshmëri. Drejtësia është drejtim i përgjegjshëm i vendit drejt perspektivës së ardhmërisë, sepse nuk ka padrejtësi më të madhe se mungesa e llogaridhënies nga pushtetarët si dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë në vetë shtetin e tyre.

Ky vend ka nevojë më shumë se kurrë për një president i cili bashkon dhe nuk krijon ndasi të reja. Ndasitë e kahmotshme na sollën në këtë gjendje, ku perspektiva gjithnjë e më tepër mungon ndërsa pushtetmbajtësit fare pak përgjigjen për të (pa)bëmat e tyre. Pjesë e këtyre ndasive është edhe Siljanovska Davkova dhe udhëheqësi i partisë që e nominoi atë, i cili i thirri të gjithë qytetarët e këtij vendi, me përjashtim të shqiptarëve, që të votojnë për këtë kandidate.

Mjaft më me ndasi. Na duhet nje president normal i cili arrin të bashkojë dhe jo të krijojë edhe më tej armiqësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button