Algjerianët kanë mirëpritur dorëheqjen e presidentit të moshuar

Algjerianët kanë mirëpritur dorëheqjen e presidentit të moshuar Abdelaziz Bouteflika e cila erdhi pas një valë protestash mbarëpopullore kundër sundimit të tij, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kreu i partisë opozitare Talae al-Hurriyat, Ali Benflis, shprehu kënaqësinë e tij të plotë për siç tha, “fundin e epokës së Bouteflikës, i cili ishte një simbol i korrupsionit dhe tiranisë”.

Benflis, i cili që nga viti 2004 konsiderohet të ketë qenë rivali kryesor politik i Bouteflikës, njëherësh përgëzoi ushtrinë e cila i kërkoi presidentit të moshuar të dorëhiqet.

“Populli dhe ushtria bashkë arritën një fitore të madhe në mënyrë paqësore përmes demonstratave”, tha ai.

Vendimin e presidentit në largim e përshëndeti edhe Abderrazak Makri, kryetar i Lëvizjes së Shoqërisë për Paqe, që është partia më e madhe islamike në Algjeri. Dorëheqjen e presidentit ai e përshkroi si një të madhe përpara.

“Bouteflika, vëllai i tij Said Bouteflika, banda e tij dhe mbështetësit e tij, që të gjithë janë përgjegjës për situatën aktuale katastrofike të Algjerisë”, tha Makri.

Ai shtoi më tej se reformat e nevojshme do të jenë të vështira, duke shtuar se vendi ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të lira dhe të drejta.

Kujtojmë se të martën, 82 vjeçari Bouteflika ofroi dorëheqjen e tij, pas disa javësh të mbajtjes së demonstratave popullore kundër sundimit të tij shumvjeçar.

Në letrën e tij të dorëheqjes, Bouteflika tha se me dorëheqjen e tij, dëshiron të shmangte një krizë.

Vendimi i Bouteflika-s erdhi disa orë pasi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Algjerisë, gjenerali Ahmed Gaid Saleh, kërkoi “largimin e menjëhershëm” të tij.

Në shkurt, partia qeverisëse Fronti Nacionalçlirimtar propozoi 82-vjeçarin Bouteflika, i cili ka qeverisur Algjerinë që nga viti 1999, për të kandiduar për një mandat të pestë në detyrë.

Por, pas disa javësh demonstratash kundër synimeve të tij për të kandiduar për një mandat të pestë në detyrë, Bouteflika më 11 mars shtyu zgjedhjet në afat të pacaktuar, fillimisht të planifikuara për 18 prill dhe u tërhoq zyrtarisht nga kandidatura.

Megjithatë, algjerianët kanë vazhduar të mbajnë protesta masive kundër Bouteflika-s, duke e akuzuar atë se në mënyrë jokushtetuese zgjat mandatin e tij të katërt në detyrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button