Organizatat qytetare reaguan për fillimin e punëve ndërtimore në monopolin e Tetovës

Punë të caktuara përgatitëse dhe ndërtimore në pronën e Tetova Tabak dhe Makedonija Tabak, përveç reagimeve të punëtorëve të mëparshëm, shkaktoi revoltë edhe te shoqatat e qytetarëve që merren me mbrojtjen e mjedisit jetësor. Nga organizata “Eko Guerilla” përmes rrjeteve sociale parashtruan pyetje deri te komuna se çfarë do të ndodhë me numrin e madh të pishave, në gjendje kur gjithnjë e më tepër mungojnë rripet e gjelbërta në qytet për shkak të ndërtesave të reja, përcjell MIA. 

“A janë këto ditët e fundit e këtyre pishave të rralla urbane? Paralajmërohet se në lokacionin e njohur si Monopol në Tetovë do të ndërtohet vendbanim me rreth 15 ndërtesa, me çka do të shkaktojë kaos akoma më të madh në hyrje të qytetit. Betonimi i qytetit patjetër duhet të mbarojë, njëherë e përgjithmonë”, thuhet në reagimin e Eko Guerillas.

Kryetarja e komunës Teuta Arifi thotë se nuk mund të flitet për lagje, duke marrë parasysh se për atë vend nuk ka plan të tillë urbanistik.

“Për momentin ekziston plan urbanistik për vendin, siç është zona për industri të lehtë. Ndërsa në procesin e planifikimit në planin e përgjithshëm urbanistik (PPU) parashihet zgjerimi i qytetit edhe në atë pjesë. Por kjo është diçka për të cilën nuk mund të flasim tani. Konsiderojmë se është herët dhe ka shumë procedura. Sidoqoftë, sa më shumë t’i mbajmë sipërfaqet e gjelbërta aq më mirë është. Do të insistojmë që atë që e kemi si diçka të bukur prej shumë vitesh, ta ruajmë së bashku”, tha Arifi duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Debati i kohës së fundit për PPU-n sipas kryetares ka treguar tendencë që qyteti të zgjerohet në atë rajon.

“Mund të shiheshin konturet e para, ideja për zgjerim të qytetit si vendbanim dhe mbi bulevardin e industrisë. Duke marrë parasysh tendencën se është e tillë dhe linjën industriale ta afrojmë deri te zona e lirë ekonomike”, tha Arifi.

Prona e të dy fabrikave të njohura si Monopol është me sipërfaqe 44.000 metra katrorë, ndërsa pothuajse gjysma është e gjelbër, pisha dhe dru tjerë. Më 27 mars punëtorë të mëparshëm mbajtën protestë publike duke kërkuar që institucionet t’u japin përgjigje se çka po ndodh me pronën, pagat e papaguara dhe aksionet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button