Qeveria e Kosovës: Raporti i Bankës Botërore është i pavërtetë

Qeveria e Kosovës i ka konsideruar “të pavërteta dhe të pabazuara”, gjetjet e raportit të publikuar të martën nga Banka Botërore, në të cilin është thënë se vetëm në vitin 2018 tregu i punës në Kosovë është zvogëluar për 17 mijë vende, transmeton REL. 

“Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendror e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe”, është thënë në komunikatë.

Përveç kësaj, Qeveria ka thënë se bazuar në të dhënat e publikuara së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) del se “numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017”.

“Raporti në fjalë nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”, është thënë ndër të tjera në reagim.

Në raportin e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, sa i përket humbjeve të vendeve të punës përmendet se “rimëkëmbja e numrit të të punësuarve gjatë gjysmës së dytë të vitit 2018 nuk arriti të kompensojë humbjet e vendeve të punës në gjysmën e parë”, duke shtuar se “pjesëmarrja e ulët në fuqinë punëtore është kronike, me 40.9 për qind si pjesë e popullsisë në moshë pune”.

Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, papunësia në Kosovë llogaritet të jetë 30 për qind.

LEXO: Borxhi publik rrezikon të shtyjë Kosovën drejt krizës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button