?Shkollat e riemërimit

Ikja nga përgjegjësia sot, nuk do ta evitojë përgjegjësinë për të nesërmen.
Abraham Lincoln
 
Me afrimin e shtatorit shkollor, në mënyrë të kuptueshme vijnë në shprehje edhe problemet sistematike, shumica e të cilave mbijetojnë me lehtësi vite me radhë, pa dallim kompleksitetit ose pasojave që i bartin. Java e fundit e riaktualizoi çështjen e riemërimit të katër shkollave në Komunën e Çairit, ose thënë më mirë, ndryshimit të katër tabelave të shkollave në këtë pjesë të Shkupit. Duke mos e harruar as për një moment rëndësinë e përshtatjes së emrave shkollorë e rrugorë ndaj realitetit lokal dhe nacional, kuptohet qartë që riemërimi i këtillë është nevojë për ndreqjen e gabimeve të të kaluarës. 

Por, në detin e deklaratave të zëshme qendrore dhe heshtjes enigmatike lokale, ka edhe diçka tjetër që gjithashtu vijëzohet qartë: prapavija politiko-partiake e momentit të ngritjes së këtij problemi në allësh-verëshin qeveritar dhe mbi të gjitha – mënyra në të cilën bëhet kjo. Mënyrë e kontrabandimit të vendimeve të shumëpritura, që mbase i ngjajnë shumë rastit të Kalasë së Shkupit, ku pas incidenteve ditë-natë, sëpatat u qetësuan lehtë me një copë deklarate për mirëkuptim e bashkëpunim. Me dallimin që këtu, pasojat mund të jenë shumë më të mëdha se që mund të paramendohet nga ata që riemërimin e katër tabelave e shesin si pune e kryer. Super-plan ose vetëm injorancë, cikërrimat si vulat e dëftesat mbetet të zgjidhen në qershor, si epizodë e re e sezonit të vjetër.   

Gjykuar nga të dhënat publike, Komuna Çair ka parashtruar kërkesë për ndryshimin e emrave të shkollave, duke inicuar procedurë për këtë që në vitin 2007. Nga ana tjetër, Ministria e arsimit arsyetohet që qindra kërkesat e parashtruara e pamundësojnë vendim-marrjen procedurale. Në ndërkohë, problemi rritet me ndëshkime të paralajmëruara sipas ligjit, kërcënime rudimentare për intervenime policore, ca Facebook-kremtime dhe natyrshëm, përgëzime nga organizata proto-partiake që nuk lëshojnë mundësi për emocionalizëm të dirigjuar. Duke e shikuar problemin në kontekstin e ngjarjeve të muajve të fundit, është e pamundur të mos supozohet se kjo është një betejë tjetër intra-qeveritare, ku katër shkolla me mijëra nxënës dhe dyfish më shumë prindër bëhen pjesë e lojës mes partnerëve të koalicionit, që tregojnë forcë mbi ardhmërinë e vendit për t’i fshehur dështimet e të tashmes. 

Në një kontekst më të gjerë, si që sugjeron edhe titulli, riemërimi i tabelave të katër shkollave në kohërat kur ‘koalicioni vazhdon të funksionojë’ ka tepër shumë ngjashmëri me një riemërim tjetër – atë të autostradave të Maqedonisë, paralelisht me ‘negociatat për emrin që vazhdojnë me përkushtim’. Një krahasim i këtillë mund të duket i pakuptueshëm, por jo nëse shihen rrethanat e dy vendimeve për riemërtime në mes të dështimeve të shumta. Riemërtime që nuk i fshehin kushtet e mjerueshme të shkollave dhe as nuk i mbulojnë gropat kilometrike në autostradën që tashmë krenohet me emrin e saj të ri ‘Filipi i Maqedonisë’. 

Por, ngjashmëritë nuk përfundojnë me diskursin dhe shfrytëzimin e çastit sipas skemës secili sipas mundësisë dhe secilit sipas nevojës. Atë që e bëjnë të vegjëlit në nivel lokal me shkollat, të mëdhenjtë e koalicionit tashmë e kanë etabluar në nivel nacional, duke i ribrenduar autostradat mizore me emra të mëdhenjë antikë. Në rastin e shkollave, ekziston nevoja reale për riemërim, por që kjo manipulohet nga llogaritë koaliciono-partiake në mbështjellje të shtetit ligjor dhe legalitetit të shquar të institucioneve lokale e qendrore. Legalitet dhe procedura që instrumentalizohen aq mirë nga dy palët, që e vrasin çdo kuptim të riemërimit aq të nevojshëm, duke i trajtuar votuesit si idiotë që nuk kuptojnë se gjithçka është pjesë e koalicion-pazarit. Për krahasim, në periudhën 2008-2009, disa muaj pas disfatës në Samitin e Bukureshtit, aty ku vendosej për anëtarësimin në NATO si orientim strategjik, rikëmbja filloi me riemërimin e autostradave e objekteve tjera kapitale, duke e amortizuar dështimin e thellë në fushën e integrimeve, që nga ana tjetër rezultoi në humbjen e mjeteve financiare që ishin premtuar për përfundimin e Korridorit 10. Disa vite të diferencës në vendim-marrje, niveli i njëjtë jocilësor i autostradave dhe shkollave dhe qëllimi i riemërimeve pas dështimeve, duket se e pasqyrojnë qartë skemën e instaluar për maskimin e dobësive. 

Mbi të gjitha dhe përtej riemërimeve, hesapeve parazgjedhore dhe lojërave brenda kampit qeveritar, ka disa çështje që janë shumë më qenësore se emrat e shkollave. Çështje që prekin secilin prej nesh, që nuk e kemi të qartë se pse asnjë prej shkollave në komunën më të dendur të Evropës, nuk i ngjan as për afër piemontit arsimor të së kaluarës – Shkolla Fillore ‘Liria’? Si është e mundur që Komuna Karposh, e vetmja opozitare në Shkup dhe perkrah të gjitha pengesave, të rikonstuojë gjashtë shkolla brenda një viti – diçka e paaritur deri tani në Çair? Pyetje këto që e tregojnë shkallën e mjerueshme të shkollave tona, që si edhe autostradat e gropave, e marrin haraçin në ardhmëri nga të gjithë ne. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button