Çdo punonjës në Maqedoni duhet të fitojë për katër të tjerë

Vetëm 26 nga 100 banorë në Maqedoni janë të punësuar, prej tyre 18 janë në sektorin privat, ndërsa 8 në sektorin shtetëror. Këto 18 persona duhet të fitojnë për paga, tatime dhe të gjitha shërbimet për 82 pensionistët tjerë, fëmijët, të papunët, administratën dhe ata që janë joaktivë në tregun e punës, tregojnë të dhënat e Bankës Botërore, njofton REL, transmeton Portalb.mk.

Të përmirësohet efikasiteti i shpenzimeve publike, të forcohet produktiviteti, i cili është më i ulëti në rajon, të kërkohen mënyra të ndryshme për qasje deri te paratë, të investohet në kapitalin njerëzor, të përmirësohet efikasiteti i shpenzimeve në shëndetësi, arsim dhe çështjet sociale, ndërsa të rinjtë, gratë dhe minoritetet të përfshihen më shumë në tregun e punës në mënyrë që rritja ekonomike të jetë inkluzive, gjegjësisht të përfshijë sa më shumë që mundet njerëz për të qenë e qëndrueshme, rekomandon Banka Botërore.

Sipas vlerësimeve të tyre, rritja ekonomike në Maqedoni këtë vit do të jetë 2.9 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm duhet të jetë 3.2 për qind.

Sanja Maxhareviq Shuister nga Banka Botërore thotë se duhet të përshpejtohet rritja, por në të njëjtën kohë të mos rritet borxhi. Ajo vë në dukje se punonjësi mesatar në Maqedoni humbet midis 25 dhe 30 vjet të jetës së punës produktive në papunësi ose pasivitet.

“Në çdo 100 njerëz që jetojnë në vend, vetëm 26 janë të punësuar. Prej atyre 26, e thënë thjeshtë, 8 punojnë në sektorin publik dhe 18 në sektorin privat. Është varësi ekstremisht e madhe. Shumë pak njerëz me të vërtetë fitojnë para për paga dhe taksa dhe kujdesen për shërbimet e kategorive joaktive dhe kategorive të tjera të papuna dhe të lëndueshme”, thotë ajo.

Këtyre 26 personave, megjithatë, duhet t’i shtohen të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar në aktivitete të amvisërive.

Banka Botërore pret që këtë vit rritja ekonomike të jetë 2,9 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm të rritet në 3,2 për qind, ndërsa papunësia të jetë 19,4 për qind e që vitin e ardhshëm do të reduktohet në 18 për qind. Deficiti buxhetor është zvogëluar, por Banka Botërore pret që borxhi publik në vitin 2020 të rritet në 54.4 përqind të BPV. Pagat po rriten kryesisht nën presionin e rritjes së pagës minimale në industritë e punës intensive.

Bojan Shimbov nga Banka Botërore thotë se ky skenar i rritjes shoqërohet me rreziqe, siç është rritja e ngadalësuar në BE, luftërat tregtare në botë dhe paqëndrueshmëria politike në rajon. Hyrja në NATO dhe hapja e negociatave me BE do të ndikojnë pozitivisht në reformat strukturore në vend, por ciklet zgjedhore ndikojnë negativisht në ekonomi, thotë ai.

“Në periudhën që vijon, duhet të përdoret stabiliteti i ripërtërirë politik në vend për të intensifikuar reformat strukturore dhe për të përshpejtuar konverzimin drejt BE”, thotë Shimbov.

Banka Botërore konsideron se nevojiten analiza serioze nëse ka mundësi të bëhet edhe një rritje e pagës minimale, pasi që produktiviteti nuk është rritur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button