Një studim për shqiptarët me kërkesë të “dëshirës”

Studiuesi Perikli Çilevi (1864 – 1925), anëtar i oborrit mbretëror të Car Ferdinandit dhe anëtar i Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje, njëherësh njohës i gjuhës shqipe, e botoi në vitin 1922 studimin prej 14 faqesh, “Shqipëria dhe shqiptarët” (në bullgarisht), me kërkesë të Shoqatës Kulturore “Dëshira” të Sofjes.

Në pjesën e parë: “Origjina dhe emërtimi i banorëve të Shqipërisë”, autori shkruan për origjinën ilire të shqiptarëve. Ai thotë se Shqipëria quhej Iliri, kurse emërtimi “Albania” ishte përdorur për herë të parë në shekullin II p. K., duke emërtuar një fis në rajonin e Durrësit dhe Elbasanit (që në mesjetë quhej Albanos). Për origjinën ilire të shqiptarëve i referohet historianit gjerman T. Momsen, që thotë se shqiptarët e kishin ruajtur gjuhën dhe identitetin e ilirëve, se ata ishin flokëzinj, shtatmesatar, krenarë, të prirë ndaj blegtorisë më shumë se sa ndaj bujqësisë. Fjala “ilir”, sipas Çilevit, rridhte nga fjala shqipe “i lirë”, ndërkaq fjala “alban” nga latinishtja, pra “albus”, i bardhë ose popull që vishej me të bardha, që në greqisht u përdor si “arvanoi”, në turqisht “arnaut”, kurse në Jugosllavinë e atëhershme u përdor termi “arbanas”. Ata vetëquheshin “shqiptarë” nga fjala “shqipe”, që haset në Fjalorin e Kristoforidhi dhe të Majerit. Plutarku, thotë Çilevi, e vërteton këtë kur flet për Pirron, i cili luftëtarët e tij i quante “shqiponja”. Për etimologjinë e fjalës “ar – ban” thotë se rrjedh nga shqipja, që do të thotë “bujk”.

Në pjesën e dytë: “E kaluara shqiptare”, autori jep një kronologji të shkurtër ngjarjesh të rëndësishme të historisë shqiptare dhe përmend luftërat me romakët, bullgarët, bizantinët, serbët dhe osmanët. Ai veçon familjet e njohura shqiptare: Topiajt, Dukagjinët, Muzakët dhe Kastriotët. Sipas tij, Shqipëria, për shumë kohë, kishte shërbyer si rezervat, ku, siç thotë V. Berard, ishin ndeshur grekët, romakët bizantinët dhe turqit. Autori, mes tjerash, shkruan edhe për kryengritjen greke kundër Turqisë, në vitin 1821, ku kishin luftuar shqiptarët, madje, siç shkruan autori, shpesh herë shqiptarët e krishterë, që ishin përkrah grekëve, luftonin kundër shqiptarëve myslimanë në Greqi, që rreshtoheshin përkrah Turqisë.

Në pjesën e tretë: “Shqipëria e lirë (rilindja, gjuha, religjionet)”, autori i përshkruan luftërat në shekullin XIX kundër osmanëve, deri në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë (autori e shënon 18 nëntor) dhe njohjen e pavarësisë më 1913 në Londër.

Çilevi i përshkruan shqiptarët si komb i ndarë në dy fise: gegët në veri dhe toskët në jug, “me dallime në aspektin fonetik gjatë shqiptimit të disa fjalëve”. Gegët, sipas tij, e përdornin alfabetin latin, kurse një pjesë edhe alfabetin arab, ndërkaq ortodoksët atë grek. Pas Kongresit të Manastirit, më 1908, përdorej vetëm alfabeti latin.

Kur flet për gjuhën shqipe, i referohet Gustav Majerit, sipas të cilit nga 5140 fjalë themelore të shqipes, 1420 fjalë ishin me rrënjë latine, 540 sllave, 1150 turke, 840 greke, 400 indo – gjermane dhe 730 të panjohura.

Në këtë studim, Çilevi jep edhe të dhëna demografike. Shqipëria e pavarur, sipas tij, kishte 800 deri një milion banorë, prej të cilëve 584.675 myslimanë, 88.987 katolikë dhe 158.215 ortodoksë, të cilët, përkundër ndikimeve të jashtme, e respektonin fenë e njëri tjetrit.

Në pjesën e katërt: “Rregullimi shtetëror i Shqipërisë”, autori e përshkruan Shqipërinë si shtet të ndarë në tetë rajone: ai i Shkodrës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës dhe Drinit. Shqipëria kishte buxhet shtetëror prej 18.747.455 frangash dhe buxhet për arsim prej 2.141.410 frangash. Shqipëria, në këtë kohë, kishte një lice në Korçë, një shkollë pedagogjike në Shkodër, 9 gjimnaze, 50 shkolla fillore publike dhe 472 shkolla të tjera, ku mësonin rreth 30 mijë nxënës. Hapjen e shkollave shqipe në nivel kombëtar, autori e sheh si sukses të madh, për sa kohë, siç shkruan, “para 10 vitesh në Shqipëri nuk kishte asnjë shkollë shqipe, sepse ndaloheshin nga pushteti turk”. Madje, në disa qytete, kishte edhe shkolla të mbrëmjes, ku mësimet i ndiqnin edhe të moshuarit. Kryqi i Kuq Amerikan i përkrahte disa shkolla në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër, kurse shteti, për të krijuar kuadër arsimor, paguante 44 bursistë që studionin në Itali, 55 në Austri dhe 3 në Francë.

Rendi në Shqipëri ruhej nga xhandarmeria me 3500 këmbësorë dhe 100 kalorës, kurse kufijtë mbroheshin nga ushtria me 4500 ushtarë, të cilët kryenin tetë muaj shërbim ushtarak.

Shqipëria, në këtë kohë, kishte 31 spitale dhe 50 mjekë, kishte sistem gjyqësor dhe institucione të shumta shtetërore.

Kryeqyteti shqiptar, Tirana, me 24 mijë banorë, përshkruhet si vend i pastër, me ujë të kulluar dhe shtëpi të bukura.

Shteti, shkruan autori, drejtohej nga katër regjentë: dy myslimanë, një katolik dhe një ortodoks. Parlamenti kishte 80 deputetë nga tri parti: liberale, demokratike dhe konservatore  (që prireshin nga feudalizmi i vjetër). Qeveria kishte gjashtë ministri: ministrinë e Jashtme, të Brendshme, të Luftës, të Punëve Botore, Arsimit dhe Financave. Gjithashtu kishte disa drejtori:  të bujqësisë, shëndetësisë, monopolit, telegrafisë etj.

Shteti shqiptar eksportonte ullinj cilësorë, xehe që nxirreshin nga minierat nëpërmjet metodave primitive, ndërkaq bujqësia nuk ishte e modernizuar. Vendi ishte i përçarë, por kishte zhvillime kulturore.

Në pjesën e pestë: “Shqiptarët jashtë Shqipërisë së Lirë”, autori shkruan se kishte 700 mijë shqiptarë që kishin mbetur nën Serbi, 300 mijë në Greqi, 200 mijë në Itali (Sicili dhe Kalabri), kurse dhjetëra mijëra të tjerë ishin shpërndarë nëpër vise të tjera.

Shqiptarët, që jetonin në provincat e reja jugosllave, “nuk kishin kolorit kombëtar”, por “asnjëherë nuk e kanë humbur gjuhën e tyre dhe as identitetin instinktiv të shqiptarit”.

Shqiptarët në Greqi, sipas autorit, asimiloheshin, kurse ata që ndjeheshin shqiptarë dallonin prej grekëve në gjuhë, zakone dhe tradita. Shqiptarët në Itali gëzonin më shumë të drejta kombëtare. Aty kishte përparim kulturor dhe ndjenjë të theksuar kombëtare. Arbëreshët e Italisë kishin një seminar në Napoli dhe botonin revista, gazeta dhe libra në gjuhën shqipe. Emigrantë shqiptarë jetonin në Amerikë, Rumani dhe Bullgari. Shqiptarët e Bullgarisë, më 1893, kishin themeluar një shoqatë në Sofje, detyrat e së cilës “ishin kulturore dhe estetike”. Një degë e shoqërisë ishte në Varna. Shoqata kishte pasur një shtypshkronjë për botimin e librave, revistave dhe gazetave në gjuhën shqipe, që ishte mbartur në Tiranë.

Studimi i Çilevit, u botua nga Shoqata “Dëshira” e Sofjes, e cila angazhohej për afirmimin e kauzës shqiptare te publiku bullgar e më gjerë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button