Kur i rrepti dhe i shkrepti e shkel gjuhën

Çfarë të bëj? Kudo që jam, ngado që të kthehem herë më ndjek muzika e gjuhës sonë shqipe, e bukur si kënga e vjetër arbëreshe, herë më fluturon ndonjë fjalë shqipe si zog parajse parasysh.  Ndalem dhe përulem para kësaj pasurie, para kësaj mrekullie që na e kanë lënë të parët. Që na e ka falur vetë Perëndia. Është koncert, është balet i paparë. Ndalet edhe koha para saj. Kështu i jepet respekt gjuhës që ka përballuar gjithfarë rebeshesh, duke mbajtur me vete të kaluarën e largët të regjistruar në fjalët e saj.

Gjithmonë më ka mahnitur e kaluara. Më kanë dhënë zemër bëmat e heronjve të eposit tonë. Bëmat e Skënderbeut. Ato i kam gjetur në gjuhën e gjyshit. Në këtë gjuhë të ëmbël. Në të është  strehuar e ruhet e tërë rezistenca shekullore për ruajtjen e identitetit tonë. Në të janë ruajtur shumë këngë që s’i gjen askund në botë. Ajo është energjia dhe frymëzimi që i ka mbajtur  në këmbë nënat tona nëpër vitet e robërisë së pafund nëpër perandori e kralevina, nënat tona zonja që kanë kapërcyer tmerre e hata, por që gjuhën s’e kanë dhënë.

Krenohem me të parët, me ata burra e gra fisnikë që nuk kanë lejuar të zbëhet gjuha e shenjtë jona dhe duke penguar të ngrihen mure midis gjuhës shqipe. Dhe, kam nostalgji për kohën e shkuar, kur  dal në kohën e tashme, në të cilën kanë filluar të lëvizin gurët e kështjellës gjuhësore. Kjo dhemb. Aq më shumë kur sot pikërisht në emër të gjuhës shqipe janë ngritur dy shtete. Është Shqipëria, është Kosova. Pra, është momenti kur duhet të lulëzojë gjuha shqipe, kur duhet fondi i saj të jetë i mbledhur  e i mbrojtur prej harresës në disa vëllime fjalorësh, me qindra mija fjalë.  Jo, kështu siç është ngushtuar në një vëllim prej nja dyzetmijë fjalësh, midis të cilave ka plot e përplot huazime të panevojshme sllave e turke dhe, çuditërisht, edhe  një grumbull termesh bolshevike, sot terme që duhet të vendosen nëpër raftet e historisë e jo t’u zënë vendin termave që na mungojnë nga fusha e filozofisë, shkencave teknike, ekonomike, juridike etj. duke i bërë të gjitha këto terme nga brumi i gjuhës sonë dhe jo t’i njollosim fjalët e bukura duke u vënë litarin në fyt. Fjala është për  litarin që janë munduar ta paraqesin si eufemizëm  duke e quajtur  krahinorizëm.

Ndërkohë askush nuk çan kokë për gjithë këto mbrapshti. Vrapi zhvillohet për pushtet e për para. Për gjërat e shenjta askujt s’i bëhet vonë. Është kohë e indiferencës dhe letargjisë.

Është për t’u habitur nga na erdhi gjithë kjo indiferencë ndaj pasurisë më të madhe që kemi, ndaj atdheut të vetëm të pandarë e të pacoptuar? Si e pranuan si të natyrshme shkeljen e gjuhës shqipe intelektualë e punëtorë? Nuk u mjaftuan muret që i ngritën fuqitë e mëdha dhe të tjerët  midis krahinave të ndryshme duke cunguar e duke tkurrur në maksimum hapësirën etnike, po tash vetë bijt e shqipes po punojnë me një zell të zi që edhe këtë gjuhë hyjnore ta ndajnë me mure. Nuk bëka t’i thuhet tëlyen gjalpit, nuk bëka t’i thuhet tambël qumështit!… Pse, kur bukur mund të qëndrojnë dhe duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës këto fjalë si sinonime?

Pse vallë rrinë indiferent ata që janë të thirrur ta mbrojnë gjuhën nga njollosjet e tilla, nga goditjet e tilla?

Këto nuk janë vetëm njollosje e goditje, por edhe nxitje për ndasi në baza dialektore e krahinore.

Për fat të keq këngët, shprehjet, proza popullore prej dite në ditë po treten në greminën e harresë, kurse dy shtetet me akademitë e tyre, me institutet e tyre rrinë duarkryq e shikojnë me indiferencë si e shkelin gjuhën i rrepti e i shkepti nëpër ato institucione ku duhet të flitet shqipja e kulluar si gurra në rrënjët e ahut shekullore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button