Bixhozi “në politikat sociale” të LSDM-së

Ёshtë paradoksale metodologjia e luftimit të varfërisë, veçanërisht për grupet më të brishta shoqërore, si propaganda partiake të ndërtimit të shtetit social, udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev lideri i LSDM-së. Është paradoksale pasi në të njejtën kohë, ai dhe partia e tij bëjnë rezistencë për të mos mbyllur lojërat e fatit, si në kufizimin e tyre, të parashtruara nga projektligjet e partive politike dhe kërkesat e organizatave apolitike – lëvizjes anti bixhoz, ashtu edhe kundërshtimi i ndalimit të plotë të tyre, kërkesë kjo e shumicës dërmuese të opinionit publik. Paradoksale për faktin e thjeshtë se bixhozi në shtetin tonë të shkatërruar juridik është ndër shkaktarët më kryesorë të dobësimit të mirëqenies shoqërore, kundrejt lejimit të veprimtarisë së tyre, veçanërisht në rrethanat që ndodhemi. Këto qëndrime janë në kundërshtim të plotë me trumbetimet e politikave sociale të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë. Qëndrojnë në kundërshtim me atë që thotë Thomas Humphrey Marchall se: “politika sociale konsiston në përdorimin e pushtetit politik për të zëvëndësuar, plotësuar ose ndryshuar mekanizmat e sistemit ekonomik me synim për të arritur rezultate që sistemi vet nuk mund t’i arrinte”.

I nderuari Kryetar i LSDM-së, tashmë duhet ta kuptojë se lojërat e fatit, në shtetet tona ballkanike, jo vetëm që drejtpërdrejt zhvasin qytetarët, shkaktojnë probleme financiare, familjare, shëndetësore,  patologjike – jetike, por ato tërthorazi në perspektivë afatgjate dëmtojnë edhe arkën e shtetit nga evazioni fiskal, larja e parasë si dhe kriminaliteti i gjithanshëm i lidhur me këto biznese. Për të njëjtat arsye të dëmshme R.Shqipërisë, dhe së fundmi R.Kosovës, mbyllën lojërat e fatit. Shtete këto me problematika dhe rrethana thuajse identike me të R.Maqedonisë së Veriut. Kujtojmë gjithashtu kryeministrin dhe partinë e tij se edhe fqinji jugor, Greqia, pavarësisht turizmit, me dekada i ka pasur të ndaluara tërësisht lojërat e fatit, ndërsa vetëm në viti 2018 miratuan një ligj që autorizuan llotarinë e tyre kombëtare të mund të hapë kazino në masë të kufizuar, shtuar kësaj faktin që Greqia është shtet shumë më i konsoliduar juridik dhe ku kriminaliteti në krahasim me vendin tonë, është shumë herë më i vogël në drejtim të abuzimit dhe kriminalitetit në lojërat  e fatit.

Fatkeqësisht, me rezistencën dhe mohimin që i bën i pari i qeverisë efektit pozitiv që shkakton mbyllja e lojëra të fatit, sikur duket, pasi nuk mund të kuptohet ndryshe, e mbivendos interesin e mundshëm të sponsorizimit të tij partiak, nga bizneset e fuqishme të bixhozit, ashtu si dhe mbushjen e përkohshme të arkës së shtetit, si dhe punësimin në këto lojëra. Në anën tjetër, me lejimin e funksionimit të tyre, në perspektivë afagjate kthehen në dëme sociale dhe zhvatje të popullatës shumëfish më shumë. Gjithashtu duke i shkaktuar dëm arkës së shtetit me informalitetin dhe larje parash, veprimtari të lidhua me bixhozin, në këtë shtetin tonë “social”, që kryeministri pretendon të ndërtojë. Evazioni fiskal është nga më të sofistikuarit,  p.sh nëse një kazino ka 20 aparate dhe 4 tavolina bixhozi, taksohen vetëm 10 aparate dhe një tavolinë bixhozi, problem ky që ka qenë tepër i evidentuar në R.Shqipërisë me një evazion të madh fiskal. Ndërsa në Maqedoninë e veriut ku shteti ligjor funksionon thuajse vetëm kundër hajdutëve të qebapëve, problemi mund të jetë me serioz.

Kryeministri dhe partia e tij nuk duhet të harrojnë se lojërat e fatit në vendin tonë, sulmojnë drejtpërdrejt objektivat e vërteta të politikave sociale, si në kuptimin e ngushtë, ashtu edhe në kuptimin e gjërë. Në kuptimin e ngushtë, sulmojnë politikat sociale që përcaktojnë masat shërbyese në luftën kundër varfërisë ose parandalimit të saj. Në kuptimin e gjerë, sulmojnë politikat e tregut të punës dhe punësimit, politikat e arsimimit, e shëndetit, e strehimit, edhe ato të politikës fiskale. Këto, pasiqë bizneset e lojërave të fatit janë mbytësë edhe për tregun, duke krijuar monopol kriminal që mbisundojnë bizneset tjera me konkurrencë të padrejtë, biznese me të cilat mund të hapeshin shumë vende pune dhe të rritej prodhimi, si për tregun e brendshëm ashtu edhe për tregun e jashtëm. Ndër të tjera edhe shtimin e numrit të punëtorëve në veprimtari të dobishme dhe profile të ndryshme kontribuese për shoqërinë. Në të gjithë lojërat e fatit në vendin tonë, të punësuarit nuk e kalojnë shifrën prej 7000. Ndërkohë që me dy-tre fabrika serioze të një shteti stabil, pa kriminalitet bixhozi dhe me politika të drejta, mund të përthitheshin investime të jashtme që do të përfshinte me lehtësi këtë numër të punësuarve të bixhozit, por sigurisht edhe më shumë. Domethënë, e mira e mbylljes së lojërave të fatit është e gjithanshme, ndërsa e kundërta, sulm ndaj politikave sociale të vërteta, që mjerisht LSDM-ja duket se në paketën e politikave sociale të saj, paska paraparë vizionin e bixhozit.

A nuk e shikon realisht Zaevi, arsyen se pse Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj mbyllën lojërat e fatit?! A nuk mund të kishin edhe ata interesa të përkohshme financiare, qoftë partiake apo buxhetore për qeveritë dhe partitë që udhëheqin! Por jo, ata vendosën interesin shtetëror dhe të qytetarëve, para çdo interesi tjetër, edhe kundrejt kërcënimeve ndaj deputetëve nga klanet e bixhozit, të cilet siç kuptohet janë pashmangshmërisht të lidhur me elemente kriminale. Ndoshta LSDM-ja duhet të mësojë edhe nga deklarata e Kryeministrit të Kosovës, i cili në lidhje me ndalimin e bixhozit shprehet: “Çdo ligj e ka koston e vet financiare, sa herë që votojmë një ligj ka edhe koston financiare. Kosto janë të gjitha, edhe ajo që mungon në buxhet. Por, pastaj edhe kalkulimet se çfarë ndodh me atë para, e cila nëse nuk përfundon në këto lojëra, çfarë ndodhë me të? Ajo para në një mënyrë apo tjetër, qarkullon në ekonominë e vendit dhe në mënyra tjera buxheti prapë i ka të hyrat e veta.. Sa i përket vendeve të punës jemi të gatshëm të interesohemi si t’i trajtojmë të gjithë ata të ri e të reja që ndoshta kanë punuar, por ju e dini se mundësitë, megjithatë, janë të kufizuara, pra është një mundësi e vështirë( e gjetjes së një vendi të punës). E kemi pasur shqetësim për njerëzit që janë punësuar (në këto biznese), për familjet, por është një llogari e bërë, vërtetë pasojat e këqija kanë qenë më të mëdha se sa të mirat. Është një kaos total, një abuzim total, është mirë që po ndalen. Ne e kemi kryer pjesën tonë. Ata që kanë pasur pikëpamje për ne, ne ua kemi kthyer sot”,

Qeveritë fqinje shikuan më larg në të mirën afagjate të shteteve të tyre, politikave sociale të mirëfillta. Kurse i gjithë populli i përgëzoi me unanimitet gati të pazakontë, pavarësisht kundështimeve të disa prej partive opozitare të cilët nga rrugëhumbja apo interesat me monopolet e bixhozit, kundërshtuan aktin e mbylljes së lojërave të fatit, duke u çjerrë se ato do të vazhdokan veprimtarinë në informalitet. Ndoshta në vete përmban edhe xhelozinë per atë se qeveritë Rama dhe Haradinaj, do të futen në histori si qeveritë guximtare kundër bixhozit, për interes madhor kombëtar – shtetëror.  Sa tragji-komike logjika e kundërshtimit , njëjtë si logjika e pronarëve të bixhozit, të cilët për interesa të veta paguajnë media për të na mbushur mendjen se sa humbje të madhe në punësime do të ketë qeveria nëse mbyll bixhozin.

Theksojmë dhe ja përsërisim LSDM-së së Zaevit, se me mbylljen e lojërave të fatit në R.Kosovës dhe R.Shqipërisë, veprimtaria e bixhozit në vendin tonë do të bëhet edhe më e rrezikshme. Bizneset e atjeshme të lojërave të fatit do të detyrohen në forma të ndryrshme të shtrijnë veprimtarinë tek ne, si targetin më të natyrshëm dhe më të lehtë që mund të kenë. Kjo edhe nëse qeveria Zaev ndalon me ligj – investimet e jashtme të këtyre bizneseve, ato do të gjejnë mundësi nëpërmjet subjekteve tjera të investojnë dhe zhvillojnë edhe më shumë këtë dukuri negative, sepse do ta kenë të lejuar funksionimin, qoftë ky me kufizime disa kilomotra larg institucioneve, sic janë parashtruar në projektligje partish dhe me kërkesë të shoqërisë civile, si p.sh ajo nga Lëvizja anti bixhoz e cila kërkon largimin e tyre minimalisht 3 klm larg nga  vendbanimet. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur në vendin tonë veprojnë mbi 500 bastore dhe më shumë se 200 kazino, dhe sipas përllogaritjeve të bëra, mbi 500.000 njerëz luajnë çdo ditë apo në mënyrë periodike lloje të ndyshme të lojërave të fatit. Paramendojmë tani invazionin e këtij biznesi nga Kosova dhe Shqipëria, se sa shumë do të rëndohet gjendja, nëse akoma qeveria Zaev nuk mbyll këto lojëra, ose ti kufizojë ato si në masën e ligjeve të miratuara në republikat fqinje.

Nuk mund të kemi zgjidhje problemesh sociale, pretendime të luftës kundër varfërisë, pa ndaluar shkaktarin e madh të degradimit ekonomik të popullatës, bixhozin, që pason me emigrimet e frikshme dhe boshatisje të vendit – burimeve njerëzore. Çdo ligj tjetër jashtë përcaktimit të mbylljes së tërësishme të bixhozit, do të dështojë në praktikë, me abuzimet e kilometrave apo qindra metrave larg institucioneve dhe vandbanimeve. Nëse kryeministri Zaev në deklaratat e tij shprehet se me mbylljen e tërësishme të lojërave të fatit – si në rastin e R.Shqipërisë, nuk bëhet zgjidhje e problemit, sepse ata që luajnë njëherë bixhoz, do të luajnë përsëri (duke nënkuptuar informalitetin), atëherë çmund të thotë nëse ato vetëm kufizohen me kilometra larg institucioneve dhe vendbanimeve? Pra, logjika konsiston në atë se sa më shumë të ndalosh dhe luftosh një të keqe, aq më shumë dobësohet ajo, dhe jo e kundërta. Madje është paradoksale kur qeveria largon shtesat për fëmijën e tretë sipas ligjit aktual, kinse në emër të politikave sociale, pasi me ligjin aktual paska humbje buxheti për shpenzim ndaj jo nevojtarëve – ata me pa statusit të ndihmës sociale, ndërsa në anën tjetër lejon bixhozin i cili i zhvat edhe të varfërit edhe të pasurit, bashkë me arkën e shtetit të evazionit fiskal dhe larjes së parasë.

Mund të themi me plot të drejtë që edhe kërkesat e Lëvizjes anti bixhoz, që në fillim ishin jo të duhurat, sepse realisht ata duhej të kërkonin mbylljen e tërësishme të lojërave të fatit, duke mos i lënë hapësirë manovrimi qeverisë, në përcaktimin e distancës dhe llojeve të lojërave të fatit. Për të mos lënë hapësirë në abuzimin praktik të distancës gjatë aplikimit të ligjit nga pronarët e lojërave të fatit, të cilët sigurisht me fuqinë financiare të ndikimit qeveritar, do të abuzonin në respektimin ligjor të distancave. Kështuqë zgjidhja më e drejtë do të ishte kërkesa e mbylljes së tërësishme të bixhozit, minimalisht si në rastin e ligjit të R.Shqipërisë. Një kërkesë e tillë do të trimëronte dhe detyronte gjithë subjektet politike shqiptare, të pozitës dhe ato opozitare, të përpilojnë projektligje të së njejtës logjikë, mbylljen kategorike të bixhozit.

Kërkesat e Lëvizjes anti bixhoz dhe projektligjet e partive politike shqiptare tashmë duhet të ndryshojnë në projekt ligje për mbyllje kategorike të tyre. I bindur se kjo do të gjejë mbështetje edhe nga shqiptarët funksionarë brenda LSDM-së, sigurisht edhe shumica dërmuese e popullsisë, pavarësisht nacionalitet dhe besimit fetar. Në këtë mënyrë mund ti jepet dritë jeshile koncepteve sociale, shtetit social, drejtësisë sociale, paqes sociale, etj., ato për të cilët Kryeministri dhe partia e tij përpiqet të na mbushë mendjen se po lufton, por që drita jeshile që ai ndez për bixhozin, j’u vë dritë të kuqe politikave sociale të vërteta.

Kryeministri i LSDM-së është mirë të rishikojë pozicionimet dhe mbyllë përfundimisht lojërat e fatit, sepse pavarësisht mirënjohjes për të, që ai në bashkëpunimin me ndërkombëtarët dhe partitë politike shqiptare, veçanërisht opozitare, ka meritat në rrëzimin e Gruevskit dhe frymën pozitive integruese të qeverisë, kjo sdo të thotë se do ta kursejmë, kur shpeshherë dallgët e pushtetit ja pamundësojnë udhëheqësve të shikojnë anijet e shpëtimit shoqëror. Ose kur udhëheqësit bëjnë sikur nuk shikojnë për x interesa të tyre. Atëherë populli dhe partitë politike të koalicionit qeverisës, duhet ta vetëdijësojnë, dhe nëse është e nevojshme, të kërcënojnë me votën e rrëzimit nga pushteti, për tju dëshmuar se politikat sociale nuk kanë lidhje me bixhozin!

Shkruan: Alpin Ollogu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button