Administrata dhe institucionet nuk janë zvogëluar, por janë rritur (INFOGRAFIK)

Ndonëse pritej që paralelisht me reformat në administratën publike, sipas rekomandimeve të ekspertëve numri i të punësuarve në sektorin publik të ulet, megjithatë numrat zyrtarë tregojnë që i njëjti është rritur. Autoritetet arsyetohen se punësimet kanë qenë të domosdoshme, njofton Portalb.mk.

Numri i të punësuarve në sektorin publik deri më 31 dhjetor të vitit 2018-të, është 132.068 të shpërndarë në 1.314 institucione. Në raportin e vitit 2017-të kishte 1.299 institucione, ndërkaq ka pasur 128.722 të punësuar, që do të thotë se numri i të punësuarve në institucionet publike është rritur për 3.346.

Nëse në këtë numër llogariten edhe të punësuarit në shoqëritë aksionare në pronësi të shtetit dhe nëpërmjet agjencive për punësime të përkohshme, atëherë numri i të punësuarve në sektorin publik arrin 143.183, ndërkaq në vitin 2017-të i njëjti ka qenë 139.099.

Në lidhje me këtë, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski thotë se punësimet kanë qenë të domosdoshme pasi që janë plotësuar vende pune ku ka munguar kuadri profesional.

“Nga numri i përgjithshëm i rritjes, 2.156 persona janë ndarë në veprimtaritë për arsim dhe punë dhe politikë sociale. Punësimet e reja janë në 30-të qendrat për punë sociale, nëntë institucione për mbrojtje sociale dhe 67 çerdhe të territorit në tërë shtetin”, theksoi Mançevski.

Paraprakisht, ministri Mançevski ka thënë se këtë vit, pra gjatë vitit 2019-të pritet që të ketë riorganizim të institucioneve, gjegjësisht zvogëlim të tyre, por e njëjta ende nuk ka ndodhur.

“Reformat në administratën publike parashohin zvogëlim të numrit të institucioneve dhe drejtorive dhe në atë mënyrë do të ulen dhe harxhimet administrative. Qëllimi i reformave është që të bëhet organizimi më i madh i institucioneve dhe të rritet efikasiteti i administratës. Qëllimi është që të mos humben vende të punës, por të përmirësohen shërbimet për qytetarët”, tha Mançevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button